Studimi i BB: Në 6 vitet e qeverisjes së PS, korrupsioni në rritje

07/11/19

mapo.al

Studimi i Bankës Botërore ngre alarmin për rritjen e korrupsionit. Përkeqësimi në gjashtë vitet e fundit ku 36 % e kompanive detyrohen të japin ryshfet për zyrtarë të nivelit të lartë në rang lokal dhe qendror. 2019-ta kap kulmin e nivelit të korrupsionit, ndërsa edhe BERZH parashikon uljen ekonomike në vend për shkak të PPP-ve dhe keqmenaxhimit.

Klithja e fundit e alarmit të madh që vjen për rritjen e korrupsionit në Shqipëri është publikuar nga Banka Botërore, e cila konstaton se biznesi i ryshfeteve është zgjeruar ndjeshëm në 6 vitet e fundit. Kompanitë shqiptare detyrohen të paguajnë nën dorë zyrtarë të shtetit, në nivele të ndryshme përfaqësimi. Raporti konstaton se përkeqësimi nis që në vitin 2013, ndërsa kurba e tmerrshme e rritjes së korrupsionit është pikërisht për vitin 2019. Një herë në çdo 6 vjet, Banka Botërore kryen vrojtimin e sipërmarrjeve, në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku kompanitë pyeten për çështje kyç që lidhen me klimën e biznesit si korrupsioni, taksat, krimi dhe ambienti rregullator. Në bazë të këtij raporti, dilet në përfundimin se për vitin 2019, mbi 36 për qind të bizneseve shqiptare u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga zyrtarët e shtetit.

Shqipëria është e listuar me ngjyrën e kuqe, ku shifra e korrupsionit është tre herë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe mbi dy herë më e madhe se sa mesatarja botërore. Ky nuk është studim OJF-sh në vend, apo opozitar, por nga institucioni serioz si Banka Botërore e cila tashmë e rendit Shqipërinë në shtetet me probleme të theksuara në mitmarrje, pasigurinë e biznesit dhe paqëndrueshmërinë fiskale. Ndërsa Banka Botërore ka bërë publike këtë studim, të dhënat më të fundit ekonomike makro dhe mikro flasin për dështim në mbledhjen e të ardhurave, përkeqësim ekonomik është për shkak të koncesioneve dhe mbi të gjitha shtimin e varfërisë. Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga përfaqësuesit e qeverisë në lidhje me këtë studim e cila mban markën e Bankës Botërore. “Ajo që po përjetojmë sot nuk krahasohet as me periudhën më të errët të stanjacionit. Raporti i BB thotë se korrupsioni është dyfishuar krahasuar me vitin 2013 dhe është më keq se në vitin 2005”, deklaroi Basha.

Kurba në rritje e korrupsionit
Ndërsa tabloja e përgjithshme e studimit tregon gangrenën e tmerrshme të korrupsionit po aq interesante është studimi nga viti në vit, duke nisur nga periudha 2013, e cila përkon me ardhjen e socialistëve në qeverisje. Sipas Bankës Botërore, krahasuar me vitin 2013, frekuenca e ryshfeteve është rritur me gati dy herë, nga 20.6 për qind që ishte atëherë në 36.1 për qind sot. Bizneset janë pyetur në lidhje me korrupsionin ku është konstatuar se gati gjysma e bizneseve në vend janë detyruar që të paguajnë nën dorë për shkak të trysnisë e cila u vjen nga zyrtarët e shtetit. Nuk bëhet fjalë vetëm për taksidarët dhe inspektoratet e të gjithë llojeve që të bujtin në biznes si “gjobëvënës profesionistë”, por dhënie ryshfeti në nivele të larta përfaqësimi të administratës publike lokale dhe qendrore. Bizneset ankohen se edhe kur mundohet që të jenë në rregull me të gjithë detyrimet dhe konform ligjit, zyrtarë të ndryshëm i kanë penguar për të vijuar punën, si presion për të dhënë ryshfet. Për të mbijetuar në shumë raste janë detyruar që të japin para nën dorë. Përveç kërkesave për ryshfet, studimi tregon edhe përqindjen e kompanive që japin para nën dorë për inspektorët e taksave si dhe atë të bizneseve që japin dhurata për të marrë kontrata nga qeveria. Të gjithë këta tregues janë përkeqësuar.

PPP-të që rrënuan ekonominë
Pas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe një tjetër institucion ndërkombëtar ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që Shqipëria të rritet me 2.8 % këtë vit, duke e rishikuar me ulje prej 1.1 pikë përqindje në krahasim me raportin e muajit maj. Ndër arsyet e uljes së ndjeshme të rritjes ekonomike BERZH përcakton edhe projektet e Partneritetit Publik – Privat (PPP) si një arsye për ngadalësimin e ekonomisë, për shkak se ato mbartin rreziqe për detyrime të mundshme. Edhe buxheti i vitit 2020 i projektuar nga qeveria, përcakton se rreth 120 milionë euro t’u shkojnë disa kompanive për projektet e PPP-ve, ndërsa nuk ka asnjë qindarkë të hedhur për rritjen e pagave apo të pensioneve.

Pas përshpejtimit në 4.1 % në 2018, rritja është ngadalësuar në vitin 2019”, thotë raporti. Gjatë gjysmës së parë të 2019, ekonomia u zgjerua me 2.4 % me bazë vjetore. Ngadalësimi erdhi kryesisht si pasojë e uljes së prodhimit të energjisë, e kombinuar me efektin e lartë bazë nga viti 2018, ndërsa turizmi mbeti një kontribuues i rëndësishëm, por nuk qe në gjendje të mbulonte gropat e mëdha të pagesave për koncesionet dhe mbi të gjitha shpenzimet qeveritare të luksit. Shumë ministri vijojnë të rrëmbejnë paratë nga buxheti i shtetit kryesisht për shpenzime operative dhe të luksit si në rikonstruksione zyrash apo blerje automjetesh. Këtyre problemeve u shtohet edhe borxhi publik që është mjaft i lartë (66.9 % e GDP në qershor 2019), por edhe në këtë shifër përjashtohen detyrimet e prapambetura, çka konsiderohet borxh i fshehur.

Gazeta Mapo