Deklarata e fortë e Presidentit serb Vuçiç: – Mbi 85 % e serbëve janë me Rusinë e Putin “çfarëdo të ndodhë”!

23 Shkurt 2022

Në kulmin e sanksioneve ndërkombëtare, sidomos nga SHBA, ndaj Rusisë pas pushtimit të disa rajoneve separatiste të Ukrainës, ka reaguar Presidenti serb Vuçiç.

“Serbia është në rrugën e saj evropiane. Serbia ka mbështetur gjithmonë integritetin e Ukrainës, por në anën tjetër, rreth 85 për qind e serbëve, çfarëdo që të ndodhë, do të jenë në anën e Rusisë”, tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Të martën ai tha se “do ta dënonte njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës nga Rusia, nëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të dënojë bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999”, duke iu përgjigjur një deklarate të ambasadorit të Ukrainës në Serbi, Oleksandr Alexandrovich, i cili tha se populli ukrainas pret që Serbia të dënojë veprimin rus.

Serbia akuzon NATO-n për “agresion” për shkak të bombardimeve të pranverës së vitit 1999, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë që vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.

Pra siç shikohet në çdo moment që i del në shteg Serbia kërkon Kosovën, çka do jetë një luftë e re në Ballkan.

Zëdhënësi Bashkimit Evropian, Peter Stano, i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, se vendet që janë në procesin e anëtarësimit pritet të respektojnë vendimet e BE-së.

“Serbia është vend kandidat dhe për këtë pritet të harmonizohet me vendimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë”, tha ai shkruan VOA në gjuhën serbe.

Gazeta Koha e Jone