
Dallga më e madhe e regjistruar ndonjëherë në Oqeanin Paqësor
3 Maji 2025
Në nëntor të vitit 2020, pranë qytetit Ucluelet në ishullin Vancouver, Kanada, ndodhi diçka që në fillim dukej si një valë e madhe si shumë të tjera.
Por vetëm tani është konfirmuar se ajo ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, dallga më ekstreme e regjistruar ndonjëherë, një fenomen aq i rrallë sa ndodh vetëm një herë në 1,300 vjet.
Kjo dallgë, me një gjatësi prej 17.6 metrash, u quajt ‘valë revolucionare’ nga studiuesit. Çfarë e bën atë unike nuk është thjesht lartësia, por proporcioni i saj ndaj dallgëve përreth, ishte pothuajse tri herë më e madhe se çdo valë tjetër në atë moment, duke thyer çdo normë të njohur shkencore për lëvizjen e detit.
Sipas fizikantit Johannes Gemmrich nga Universiteti i Viktorias, “dallga në Ucluelet është ndoshta më e madhja e regjistruar ndonjëherë. Nuk ishte dallga më e lartë në histori, titull që mban ende dallga Draupner e vitit 1995 me 25.6 metra, por ishte më e pazakonta në kontekstin e saj, çka e bën të veçantë në botën e oqeanografisë.
Për shekuj, dallgët gjigante ishin të mbështjella me mister dhe konsideroheshin ‘mite detare’, tregime të marinarëve që rrallë merreshin seriozisht. Por kjo ndryshoi në vitin 1995 me dallgën Draupner, që shënoi fillimin e epokës moderne të studimit shkencor të valëve ekstreme.
Ngjarja e Ucluelet u kap falë një pajisjeje të vendosur nga kompania MarineLabs, që monitoron në kohë reale aktivitetin e detit. Pa këtë teknologji, dallga mund të kishte kaluar pa u zbuluar kurrë.
Edhe pse dallga e Ucluelet nuk shkaktoi dëme, valë të ngjashme në të kaluarën janë fajësuar për zhdukjen e anijeve, mbytje tragjike dhe dëmtime serioze në platforma detare. Sot, studiuesit janë në garë me kohën për të ndërtuar modele që mund të parashikojnë valët e tilla, duke përdorur simulime atmosferike dhe të dhëna detare në kohë reale.
Sipas një studimi të publikuar në revistën Nature, valët gjigante mund të paraqesin rreziqe serioze jo vetëm për anijet dhe platformat e naftës, por edhe për dhe komunitetet bregdetare.
Ndërsa ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë në modelet e motit dhe detit, shkencëtarët paralajmërojnë se valë të tilla mund të mos jenë më aq të rralla në të ardhmen.
“Kapja e kësaj vale që ndodh vetëm një herë në një mijëvjeçar, pikërisht në oborrin tonë, është një demonstrim bindës i fuqisë së inteligjencës bregdetare për të transformuar sigurinë detare”, tha Scott Beatty, Drejtor Ekzekutiv i MarineLabs.
A ishte kjo një rastësi fatlume shkencore apo një paralajmërim nga oqeanet për kohët që po vijnë? Çfarëdo qoftë, dallga e Ucluelet mbetet një kuriozitet natyror që sfidon kufijtë e asaj që dinim për detin, dhe një kujtesë e qartë e fuqisë së tij të paparashikueshme.