“Covid-19 ka dalë jashtë kontrollit”/ Eksperti thirrje të fortë qeverisë: Është kriminale që…

31 TETOR 2020

Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho thekson se situata ka dalë jashtë kontrollit. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Dasho apelon që qeveria të ofrojë teste të shpejta të Covid-19 për qytetarët, pasi po vihet në rrezik jeta e tyre.

Postimi i Erion Dashos

Në kushtet kur COVID ka dalë plotësisht nga kontrolli dhe po kërcënon jetën e qytetarëve, është kriminale që qytetarit shqiptar të mos i ofrohet MINIMUMI një test i shpejtë antigjenik me çmim të përballueshëm.

Më pak se 10 EURO kushton testi i shpejtë antigjenik në Europë! Në një status që publikova dje, u komentua se disa klinika në Tiranë e ofrojnë këtë test me çmimin spekulativ 10 mijë deri 15 mijë lekë të rinj!!! Me një normë fitimi një mijë për qind!!!

Më e pakta që mund të bëhet sot është autorizimi i importit të një prej testeve të shpejta që përdoren në Europë dhe lejimi i shitjes së tyre në farmaci.

Çdo qytetar mund ta blejë privatisht testin dhe të paraqitet pranë mjekut të familjes për ta kryer atë! Kështu kursehen disa qindra Euro në rastin kur nevojitet testimi i gjithë familjes.

Një thirrje për qeverinë shqiptare! Lehtësoni sado pak barrën financiare të epidemisë që u keni lënë në kurriz familjeve shqiptare! Kujtohuni se keni ardhur në pushtet me premtimin për një shëndetësi falas!!!

Gazeta Shqip