Çmimi i miellit, vajit dhe sheqerit rritet me 50%, ministrja: – Qeveria e ka të pamundur të ulë çmimet

27 Mars 2026
Nga: Gazeta Dita
Ministrja Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat bëri me dije se lufta në Lindjen e Mesme ka filluar të japë efektet e para edhe në çmimet e shportës ushqimore në vend, duke reflektuar rritje të ndjeshme në disa produkte bazë.
Sipas ministres, qeveria nuk ka mundësi të ndërhyjë drejtpërdrejt në përcaktimin e çmimeve, pasi ato varen, sipas saj, nga kërkesa dhe oferta.
Unë nuk thashë ne do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime.
Unë thashë që ne jemi duke i monitoruar me bazë ditore dhe do dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive. Ajo që thashë është se në rast se do të kemi një ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit atëherë ne do suportojmë shtresa që nuk e përballojnë rritjen e çmimit, për një periudhë të përkohshme pasi siç dihet luftërat fillojnë dhe mbarojnë.
Dhe fokusi ynë është te pensionistët.
Asnjëherë nuk e kam thënë që do të ndërhyjmë te çmimet, sepse e kemi të pamundur qoftë nga ekonomia që kemi ngritur ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta.
Ibrahimaj, deklaroi se ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 3.8% në tremujorin e fundit të vitit 2025, duke tejkaluar mesataren e Bashkimit Evropian prej 1.4% si dhe atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor prej 3%.
Sipas saj, ky rezultat konfirmon qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe performancën pozitive në raport me rajonin dhe më gjerë.
Gjatë konferencës për shtyp, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe funksionimit të Bordit të Transparencës, i cili është riaktivizuar për të monitoruar dhe kontrolluar çmimet e karburanteve në vend.
Ibrahimaj bëri me dije se autoritetet kanë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme luhatjet e tregut, duke evidentuar një periudhë stabiliteti në fund të shkurtit, e ndjekur nga rritje të ndjeshme gjatë muajit mars, ku çmimi i naftës arriti deri në 215 lekë për litër.
Në këtë kontekst, Bordi sipas saj ka ndërhyrë për të përcaktuar çmimet tavan për tregtimin e karburanteve, bazuar në një formulë të miratuar më herët, e cila merr në konsideratë çmimet ndërkombëtare të bursës dhe kostot e tregtimit.
“Ne kemi qenë të kujdesshëm në monitorimin ditor të çmimit të karburanteve dhe kemi parë që gjatë, që nga fundi i muajit shkurt, një situatë e cila ishte stabile. Ku çmimi ishte 173 lekë kemi pasur luhatje të çmimit në muajin mars, ku çmimi në max ka arritur deri në 215 lekë. Duke parë maksimumin kemi parë një rritje të çmimit të naftës, ndërkohë sa i takon bursës dhe çmimeve të bursës, çmimi i bursës nga shkurti deri më sot është rritur me 97%.
Dje ne mblodhëm Bordin së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe anëtarë të tjerë të bordit me qëllim diskutimin për çmimet dhe vendosjen e çmimeve maksimale të tregtimeve.
Mekanizmi që përdoret është një formulë që është bazuar në aktin normativ që është ndërmarrë në 2022 kur kishim një situatë të ngjashme”, tha Ibrahimaj, ku theksoi më tej se paralelisht, institucionet po ndjekin me kujdes edhe ecurinë e çmimeve të produkteve ushqimore, të cilat kanë shfaqur luhatje të fundit.
Ministria bëri me dije se është ndërmarrë një monitorim përmes strukturave përkatëse, me synimin për të mbrojtur konsumatorët dhe për të minimizuar ndikimin e rritjes së çmimeve, veçanërisht tek shtresat më të ndjeshme të shoqërisë. Por pyetjes pse ka bord për naftën dhe jo për ushqimet ajo iu përgjigj: “Ndryshe janë karburantet dhe ndryshe tregu i ushqimeve” pa shpjeguar se ku qëndron ky ndryshim.
