17 Tetor 2026

Ndërsa kryeqyteti prej pesë ditësh ndodhet nën rrethim nga gazi lotsjellës, gurët e studentëve dhe flakët e molotovëve, nga Presidenca vjen njoftimi i madh për zgjidhjen e krizës: Presidenti Bajram Begaj do të presë nesër në orën 12:00 krerët e komuniteteve fetare të vendit.

Në një kohë kur i gjithë vendi është në ankth dhe pret që Kreu i Shtetit të zbresë në terren, të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare apo të paktën të bëjë një llogaridhënie institucionale që shkon përtej postimeve si influencer në Facebook, Begaj ka vendosur të shohë nga qielli. Motivi zyrtar i këtij takimi urgjent? Nuk dihet.

Por me sa duket, pasi pa që mesazhet e tij formale për “vetëpërmbajtje” nuk ndezën asnjë dritë shprese te studentët, Presidenti ka vendosur të provojë ndërmjetësimin e fuqive mbinatyrore.

Ndërsa jashtë dritareve të Presidencës dëgjohen sirenat e ambulancave, brenda zyrave nesër në mesditë do të diskutohet për paqen shpirtërore, me shumë mundësi mbi një filxhan ekspresi. Dhe siç e ka pranuar vetë publikisht nëpër intervista, Kreu i Shtetit kafen e pi “shqeto”, pa sheqer, sepse “sheqer është vetë”. Mbetet vetëm të shpresojmë që kjo ëmbëlsi presidenciale të mjaftojë për të zbutur tensionet e rrugës, pa pasur nevojë që ai të prishë rehatinë apo të ngrerë zërin ndaj qeverisë. Në fund të fundit, marrëdhënia e tij e shkëlqyer me Ramën është shumë e çmuar për t’u krisur nga ca protesta studentësh

Nëse protestuesit prisnin që Presidenti të kërkonte llogari për dhunën apo të ofronte zgjidhje konkrete, do t’ju duhet të presin gjatë. Për momentin, shpresa e vetme e institucionit më të lartë të shtetit ka mbetur te besimi se problemet e këtij vendi mund të zgjidhen vetëm me ndihmë nga Zoti.

K.H