15 Korrik 2026

Në pallatin e mbretit Alkino, një i panjohur i mbijetuar nga një mbytje anijeje dëgjon poetin e verbër Demodok të këndojë për fundin e Luftës së Trojës. I prekur thellë, ai zbulon identitetin e tij: “Unë jam Odiseu.” Më pas rrëfen udhëtimin e gjatë drejt Itakës, plot magjistare, përbindësha dhe aventura të jashtëzakonshme.

Rikthimi në det

ImagePërmes Odisesë, grekët e periudhës arkaike u rilidhën me detin, të cilin paraardhësit e tyre mikenas kishin dominuar përpara rënies së qytetërimit të tyre në shekullin XII para Krishtit. Ndërsa Iliada përshkruan botën e Epokës së Bronzit, Odiseja pasqyron periudhën nga shekujt X-VIII para Krishtit., kur grekët rifilluan tregtinë detare dhe nisën kolonizimin e Mesdheut. Në këtë epokë eksplorimi, Odiseu u shndërrua në simbolin e njeriut që përballon të panjohurën.

Kthime me fate të ndryshme

ImageJo të gjithë heronjtë e Luftës së Trojës patën të njëjtin fat. Menelau u kthye i sigurt në Spartë, ndërsa Agamemnoni u vra nga gruaja dhe i dashuri i saj sapo mbërriti në shtëpi. Heronj të tjerë, si Diomedi dhe Filokteti, u vendosën në Itali, pikërisht në rajonet ku grekët filluan të krijonin koloni rreth vitit 770 para Krishtit.

Odiseu, heroi i zgjuarsisë

ImageNdryshe nga luftëtarët që mbështeteshin te forca, Odiseu shquhej për zgjuarsinë. Homeri e përshkruan si polytropos, “njeri me shumë dredhi”. Ai përdor diplomacinë, mashtrimin dhe guximin po aq sa armët, duke hyrë edhe në botën e të vdekurve për të gjetur rrugën drejt shtëpisë.

Tregtar apo pirat?]

Kur Ciklopi Polifem e pyet Odiseun nëse është tregtar apo “endacak grabitës”, kjo pasqyron realitetin e kohës, kur kufiri mes tregtarëve dhe piratëve ishte i paqartë. Kjo e bënte Odisenë më të afërt me jetën e grekëve të shekullit VIII para Krishtit, të cilët po lundronin drejt tokave të reja.

Pas largimit nga Troja, Odiseu përballet me ngrënësit e lotusit, bimët e të cilëve u fshijnë kujtesën njerëzve, dhe më pas me ciklopët, që jetojnë pa ligje e pa mikpritje. Për t’i shpëtuar Polifemit, ai prezantohet si “Askushi”, e verbon gjigantin dhe arratiset. Por krenaria e shtyn të zbulojë emrin e tij të vërtetë, duke zemëruar Poseidonin, babanë e Polifemit.

Fitorja e zgjuarsisë

ImageMë vonë, magjistarja Kirke i shndërron shokët e Odiseut në kafshë, por ai shpëton falë ndihmës së Hermesit. Kirke e udhëzon të zbresë në botën e të vdekurve dhe e paralajmëron për Sirenat. Odiseu u mbyll veshët shokëve me dyllë, ndërsa vetë u lidh në direk për të dëgjuar këngën e tyre pa rënë në kurth.

Lufta për shtëpinë

ImagePas rënies së qytetërimit mikenas, shoqëria greke u organizua në ekonomi familjare të quajtura oikos, të drejtuara nga një basileus. Në mungesë të Odiseut, pretendentët pushtojnë shtëpinë e tij dhe kërcënojnë pozitën e familjes. Beteja kryesore nuk zhvillohet më në Trojë, por në Itakë, ku Penelopa, Telemaku, shërbëtorët dhe vetë Odiseu, i maskuar si lypës, luftojnë për të mbrojtur shtëpinë.

Në botën e të vdekurve, Akili i thotë Odiseut se do të parapëlqente të ishte një njeri i varfër i gjallë sesa mbret i të vdekurve, duke treguar një këndvështrim më njerëzor mbi heroizmin.

Pas njëzet vjetësh, Odiseu më në fund kthehet në Itakë, vret pretendentët që kanë shpërdoruar pasurinë e tij dhe rifiton fronin. Megjithatë, duhet të bindë edhe Penelopën se është ai. Kur ajo kërkon që shtrati martesor të zhvendoset, Odiseu përgjigjet se e kishte ndërtuar mbi trungun e një ulliri të gjallë, ndaj ishte i palëvizshëm. Kjo ishte prova që vetëm burri i saj mund ta dinte.

Roli i grave në Odise

Image

Studiuesit i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje personazheve femra. Disa madje kanë sugjeruar se poema mund të jetë shkruar nga një grua. Veçanërisht Penelopa shihet sot si një nga heroinat kryesore: me zgjuarsinë dhe durimin e saj, duke e shthurur natën pëlhurën që endte ditën për të vonuar martesën e re, ajo mbron Itakën po aq me sukses sa Odiseu me trimërinë dhe dinakërinë e tij. / NationalGeographic