13 Shkurt 2023

“… Klani që është aktivizuar është ai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla”.

Në Shqipëri zien debati mbi skandalin “McGonigal” dhe si duket përplasje për këtë çështje pritet të ketë edhe gjatës seancës plenare të kësaj mbasdite, pasi opozita akuzon kryeministrin Edi Rama se është përfshirë në këtë aferë, ku synim kryesor kishte asgjësimin e opozitës shqiptare. Por teksa opozita kërkon “kokën” e Edi Ramës, të gjithëve në vjen ndërmend një pyetje: “Se çfarë do të ndodhë nëse kryeministrit aktual largohet nga ky post?”.

Të shumtë janë ata që mendojnë se pasuesi me i denjë për të zëvendësuar Edi Ramën është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa ka edhe nga ata që mendojnë se vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshëm, nëse kryeministri aktual merret i pandehur nga autoritetet amerikane apo largohet nga posti i shefit të ekzekutivit, qoftë me dëshirë apo me imponim nga ndërkombëtarët dhe brenda Shqipërisë. Megjithatë në kulmimin e këtyre hamendësimeve, një gjë është e sigurtë që Parti Socialiste ka kapacitete për ta zëvendësuar Edi Ramën në postin e të parit të qeverisë. Figura më e lakuar dhe që ka më shumë karizëm në PS për të zëvendësuar Ramën si kryetar partie apo si kryeministër, është kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, Madje këtë nominim duket se e mbështesin shumica e socialistëve, paçka se edhe brenda kampit rozë, ambiciet për pushtet, intrigat dhe kurthet mes kundërshtarëve të së njëjtit subjekt politik janë prezent në gjendje aktive apo të fjetur.

Klanet brenda PS

Por sikundër e bëmë me dije, teksa gjithë vëmendja e debatit publik dhe politik është fokusuar tek skandali “McGonigal”, situatë aspak të qetë duket se po kalon edhe Partia Socialiste, ndonëse jemi në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Gazeta “SOT” ka mësuar se lëvizja e bujshme e kryeministrit Rama duke promovuar Belinda Ballukun si figurën numër 2 në selinë rozë, ka aktivizuar klanet brenda PS-së.  Mësohet se po bëhet një luftë e heshtur e nëndheshme tejet e fortë.

Klani që është aktivizuar është ai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ky i fundit pas zgjedhjeve të përgjithshëm të prillit që kaloi, është lënë nën hije, ku pavarësisht se shpresonte që kryeministri Edi Rama ta përfshinte në kabinetin e ri qeveritar, të vetmin ofiq që mori ishte vetëm lënia drejtues i grupit parlamentar socialist. Kjo ka bërë që Balla të rreshtohet krah kryebashkiakut Veliaj, i cili ka pas vetes shumë figura të të tjera të PS me vete si Etjen Xhafaj, Fatmir Xhafaj, Toni Gogu, Etilda Gjonaj dhe shumicën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS. Mësohet se këtë klan, Veliaj po e ushqen dhe rrit çdo ditë, pasi ka ambicie për një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë me promovimin që po i bën Rama, figurës së Ballukut, duke e fuqizuar edhe më shumë në skenën politike si edhe në kupolën e PS, lufta është nxehur edhe më shumë, çka tregon se jemi përballë dy klaneve, ku fraksioni tjetër është ai i Ballukut, e cila ka pas vetes Sekretarin e Përgjithshme të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

Pra përballë kësaj tabloje dhe situate të brishtë, një gjë është e sigurtë që në rast se Edi Rama rrëzohet nga karrigia e Kryeministrit, postin e tij do të tentojë ta zërë Belinda Balluku dhe Erion Veliajt, por që ky i fundit është më privilegjuari brenda socialiste për t’u katapultuar në krye të PS dhe Ekzekutivit.

Skandali “Mcgonigal”, ja çfarë ka ndodhur

Mbi dy javë më parë, FBI arrestoi ish-zyrtarin e lartë të kësaj strukture, Charles McGonigal. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal. Ndërkohë pas publikimit të dosjes, një pjesë e opozitës organizoi këtë të shtunë një protestë para Kryeministrisë, ndërsa si moto kishte largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.

Gazeta Sot