Çështja e detit me Greqinë, Rama flet për “zgjidhje konsensuale”. –
29 tetor 2019

Kryeministri Edi Rama shpreson “në një zgjidhje konsensuale” me qeverinë greke për çështjen e kufirit detar.
Në një intervistë për Euronews në gjuhën greke, kreu i qeverisë shqiptare tha se me qeverinë e mëparshme janë bërë përparime të rëndësishme.
“Ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme për ca kohë dhe kemi bërë përparime të konsiderueshme dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje konsensuale”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Nuk është e qartë pse politika shqiptare pranon presionin e Athinës për “zgjidhje” kur marrëveshja e detit e firmosur nga qeveria Berisha dhe ajo Karamanlis është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Rama u pyet në lidhje me VKM për pronat, e cila u fshi më pas nga Fletorja Zyrtare si dhe për pretendimet e palës greke se kjo prekte të drejtat e minoritetit grek.
Rama i quajti këto “marrëzi” dhe tha se “Shqipëria është një shembull i ndritshëm i respektit për të gjitha pakicat”.
Sipas kryeministrit Edi Rama, zhurma për këtë çështje është politike
“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është thjesht të riformulojmë disa nga ligjet ekzistues për të mirën e të gjithëve”, u shpreh Rama.
Në lidhje me vdekjen e Kostandin Kacifas, Rama përjashtoi mundësinë e një konflikti të vazhdueshëm.
“Nëse politika nuk fut hundën, asgjë e keqe nuk ndodhë”, tha kryeministri Edi Rama.
Gazeta Dita