26 Qershor 2025

Presidenti amerikan Donald Trump u përfshi në një moment emocional me një gazetare ukrainase gjatë një konference për shtyp në përfundim të Samitit të NATO-s në Hagë, ku u diskutuan çështje kyçe të sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë luftën në Ukrainë.

Gazetarja, që punon për Shërbimin Ukrainas të BBC-së, e informoi Trump se bashkëshorti i saj është ushtar në Ukrainë dhe se ajo jeton aktualisht në Varshavë me fëmijët.

Teksa ndodhej në sallën e konferencës, Trump e përzgjodhi për të bërë pyetjen pasi e vuri re që ishte “shumë e emocionuar”.

Ai e pyeti: “Nga je?” dhe kur ajo iu përgjigj se ishte nga Ukraina, interesi i presidentit amerikan u bë më personal.

Gazetarja e pyeti nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të furnizojnë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, duke shtuar se Rusia po “bombardon shumë rëndë” vendin e saj.

“Po ti vetë, jeton tani në Ukrainë?”, e pyeti Trump, dhe ajo u përgjigj: “Bashkëshorti im është atje. Unë me fëmijët jetoj në Varshavë.”

I prekur nga përgjigjja, Trump reagoi: “Uau. E shoh që është shumë prekëse për ty… kjo është gjë e rëndë, shumë e rëndë.”

Ai konfirmoi se SHBA-të po shqyrtojnë mundësinë për të siguruar më shumë raketa Patriot për Ukrainën.

“Ata i duan shumë këto raketa, më shumë se çdo gjë tjetër, siç e dini. Janë shumë të vështira për t’u siguruar, sepse na duhen edhe neve. Janë efektive 100%. Është e vështirë ta besosh sa efektive janë,” u shpreh Trump.

Në fund të përgjigjes së tij, presidenti amerikan shtoi me ndjeshmëri: “Të uroj shumë fat. E shoh që kjo të prek shumë. Thuaji burrit tënd përshëndetje, në rregull?”

Gazeta Panorama