Britania paralajmëron Rusinë: – Çdo aventurë në Ukrainë do të ishte e përgjakshme, e dhimbshme për Moskën

24 JANAR 2022

Kryeministri Boris Johnson ka paralajmëruar Rusinë se pushtimi i Ukrainës do të ishte “katastrofik” dhe një “sipërmarrje e dhimbshëm, e dhunshme dhe e përgjakshme” për të. Johnson foli pasi një pjesë e stafit të ambasadës britanike u tërhoq nga Ukraina, duke thënë se situata ishte “shumë e zymtë”, por lufta nuk ishte e pashmangshme.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar ishte “udhëheqëse në krijimin e një pakete sanksionesh ekonomike” kundër Rusisë dhe po furnizonte Ukrainën me armë mbrojtëse, ndërsa NATO po vendos forcat në gatishmëri.

Ai tha se aleatët e NATO-s po dërgonin anije shtesë dhe avionë luftarakë në Europën Lindore për të përforcuar mbrojtjen dhe për të rritur parandalimin, në përgjigje të përqëndrimit të vazhdueshëm të forcave ruse.

Rusia ka mohuar planet për pushtim ushtarak, por vlerësohet se rreth 100,000 trupa janë grumbulluar në kufi. Kreu i NATO-s ka paralajmëruar rrezikun e një konflikti të ri në Europë. Kremlini ka akuzuar NATO-n për përshkallëzimin e tensioneve me këtë veprim. Rusia e konsideron aleancën si një kërcënim dhe po kërkon garanci ligjore që ajo nuk do të zgjerohet më tej në lindje, duke përfshirë edhe Ukrainën. Por SHBA ka thënë se konflikti ka lindur nga agresioni rus dhe jo nga zgjerimi i NATO-s.

Presidenti i SHBA Joe Biden do të mbajë një video-konferencë me liderët e BE-së, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe Kryeministrin Johnson më vonë.

“Inteligjenca jonë është shumë e qartë se ka 60 grupe luftarake ruse në kufijtë e Ukrainës, plani për një luftë rrufe që mund të arrijë deri në Kiev është ai që mund ta shohin të gjithë. Ne duhet t’ia bëjmë shumë të qartë Kremlinit, Rusisë, se ky do të ishte një hap katastrofik”, tha Kryeministri britanik.

Zyrtarët thanë se nuk kishte pasur kërcënime specifike për diplomatët britanikë, por rreth gjysma e stafit që punon në Kiev do të kthehet në vendlinje. SHBA ka urdhëruar të afërmit e stafit të ambasadës së saj të largohen, duke thënë se një pushtim mund të vijë “në çdo kohë”.

Gazeta Shqip