7 Shtator 2022

Telenovela e kësaj vere mbi fatin e Ervis Martinaj duket se ka mërzitur edhe kryeministrin Rama. Por më shumë heshtja e policisë së shtetit në këtë drejtim.

Ndaj ai ishte i qartë në mesazhin e tij teksa prezantoi drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Detyra e parë, të cilën ai do të duhet ta përmbushë me sukses në krye të policisë, është zgjidhja e kësaj dileme: Ervis Martinaj është vrarë apo është gjallë?

Edi Rama: A është e mundur dhe si është e mundur që policia e shteit akoma sot tani që flasim nuk e ka një përgjigje për fatin e  njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Unë nuk e kam dëgjuar. Është e papranueshm e që me javë të tëra mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve ekran më ekran dhe faqe më faqe janë bërë Big Brother i kronikës së zezë: Jo u vra, jo su vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit lloj-lloj legjendash me luanë, me bamirësa, me oligarkë, shto ujë dhe shto miell si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar dhe policia e shtetit sot nuk do ta thotë akoma: Ore u vra apo nuk u vra? Kush e ka penguar ta thotë?

Drejtori i policisë së shtetit që merr sot detyrën si një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë në shkallët e karrierës policore duhet të sigurohet dhe të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund sa më parë. Nëse i kërkuari është vrarë ti thuhet publikut që është vrarë, nëse nuk është vrarë të gjendet, të kapet dhe ti jepet drejtësisë.

Nga OraNews