Berisha denoncon: – Rama po zhbën Portin e Durrësit, pasi iu zhduk arabi tha do ndërtoj..

27 Mars 2026
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit në selinë blu me Departamentin e Çështjeve Sociale hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, se jo vetëm i ka varfëruar shqiptarët, por edhe ka boshatisur Shqipërinë me mbi 1 milionë të larguar, sikurse projektet serbe për boshatisjen e Kosovës.
Berisha tha se Rama po plaçkit Portin e Durrësit, ndërsa nuk kurseu as anëtarët e kabineti ekzekutiv dhe zyrtarët e lartë, ku tha se janë “injorantë dhe me diploma false”.
Kryedemoktati mori dhe një shembull që shpjegonte ligjin e vetëm që njeh pushteti aktual me oligarkët përreth tij: atë të plaçkitjeve të pasurive. Dhe ky shembull ishte Porti i Durrësit.
“Është vendosur një sistem i cili të mirat dhe pasuritë publike i shndërron në pasuritë e grupeve të vogla dhe ua plaçkit qytetarëve. Do ndalem vetëm në një shembull dhe s’do e harroja kurrë. Porti i Durrësit si vepër publike është sot pasuria numër një, në vlerë edhe më e madhe se sa kaskada e Drinit. Ajo zhduket para syve tanë, në mënyrën më të paimagjinueshme, del një arab nga deti dhe thotë do ndërtoj Dubain e një mijë e një netëve me Edi Ramën. Vetëm trualli është 1,2 mln metra katrorë, pa llogaritur të gjithë investimin mijëravjeçar të shqiptarëve, në hyrjen e portit, kanale, kalata etj etj. Me radhë. Ky tani zhduket, do ndërtoj një port tjetër, zhduket se do ndërtohen 12 mijë apartamentet e Dubait të një mijë e një netëve të Ramës, hotele, resorte etj etj”, tha lideri i opozitës.
Dhe duke vijuar, ai e cilësoi një akt të ngjashëm me pushtimin, teksa porti i ri sipas Berishës, do ndërtohet përsëri me paratë e taksapaguesve shqiptarë:
“Por të lësh një port mijëravjeçar, ta grabisësh me këto vlera e ta zëvendësosh me një port gjashtë herë më të vogël dhe t’ua shesësh shqiptarëve portin më të madh të rajonit, ndërkohë që është 50 herë më i vogël Porto Romano se Pireu, Selaniku e me radhë, do të thotë të tallesh dhe të injorosh si pushtues qytetarët e këtij vendi. Dhe këtë port të ri do e ndërtojnë dhe paguajnë po taksapaguesit shqiptarë, këta që numërojnë kafshatën”.-shtoi Berisha.
