30 Korrik 2026

Çfarë parashikon Reforma Territoriale

Deputetët e grupit parlamentar të PS, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale kanë depozituar në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale.

Sipas projektligjit, Shqipëria do të ketë 46 bashki, 71 qytete dhe 387 Njësia Administrative. Numri i qarqeve do te jetë 12. Aktualisht vendi është i organizuar në 61 bashki dhe 12 qarqe.

Bashkitë që do të shkrihen janë Fushe-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh e Përrenjas.

Projektligji përcakton se bashkia mbetet njësia bazë e qeverisjes vendore dhe do të përbëhet nga qytetet, të cilat do të kenë status të veçantë ligjor të rregulluar me ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.

harta

Ndarja

Qytetet do të përbëhen nga njësi administrative dhe/ose fshatra, ndërsa organizimi dhe përfaqësimi i bashkisë do të mbështeten në parimin e përfaqësimit proporcional të qyteteve përbërëse, në raport me popullsinë e tyre.

Në nenin 2 të projektligjit përcaktohet se emërtimi, shtrirja territoriale, kufijtë, qendra dhe njësitë administrative të çdo bashkie do të jenë të përcaktuara në hartat dhe tabelat bashkëlidhur ligjit, të cilat janë pjesë përbërëse e tij.

Projektligji parashikon gjithashtu që këshillat bashkiakë të kenë të drejtën të ndryshojnë emërtimin, shtrirjen territoriale dhe kufijtë e njësive administrative përbërëse dhe nënndarjeve të tyre, sipas nevojave të komunitetit dhe efektshmërisë administrative.