Ballkani Perëndimor, CDU/CSU: Dera e BE-së e mbyllur për 5 vitet e ardhshme! –

1 prill  2019.

Dy partitë e mëdha gjermane kanë bërë të njohur programet e tyre zgjedhore. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, të dyja partitë janë të mendimit se ai e ka vendin në BE, kur t’i ketë plotësuar kushtet e duhura. Por ato kanë qëndrime të ndryshme, sa i përket shpejtësisë së integrimit:

Socialdemokratët, të cilët kanë zgjedhur si kandidatë kryesorë ministren aktuale të drejtësisë, Katarina Barley, dhe deputetin e Parlamentit Europian, Udo Bullmann, mendojnë se zgjerimi është një hap i nevojshëm për të ruajtur paqen, qendrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajon. Ata thonë se reformimi i brendshëm i Bashkimit Evropian, pra, konsolidimi, duhet të ndodhë paralelisht me zgjerimin. Dhe sa i përket Ballkanit Perëndimor konkretisht, ata vënë theksin te shteti i së drejtës dhe zhvillimi i demokracisë.

Konservatorët, pra CDU/CSU, që si kandidat kryesor kanë kristiansocialin, Manfred Weber, e kanë formuluar pak më ndryshe paragrafin e zgjerimit: aty thuhet se thellimi vjen para zgjerimit, prandaj për pesëvjeçarin e ardhshëm dera e BE-së do të duhet të jetë e mbyllur për vende të reja. Ballkani Perëndimor shihet me perspektivë të qartë në BE, ndryshe nga Turqia, me të cilën konservatorët duan të lidhin vetëm një partneritet strategjik.

Konservatorët kërkojnë edhe rezultate më pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtu nuk do të bëjmë lëshime, thuhet në programin e tyre. Pra, anëtarësimi sipas tyre duhet të jetë i merituar, e jo thjesht si argument për të ruajtur paqen.