31 Janar 2023

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Hovenier.

Ai i bëri komentet pas një diskutimi që organizoi të martën Ambasada amerikane në Prishtinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Prishtinë, zyrtarët thonë se nuk mund të lejojnë formimin e një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, por amerikanët dhe BE insistojnë në themelimin e tij.

Hovenier tha se SHBA-ja pret që “Kosova t’i përmbushë obligimet e saj si shtet sovran, i pavarur, multietnik, që trajton të drejtat e pakicave në përputhje me marrëveshjet e Brukselit”.

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike”, deklaroi ai, duke shtuar se “partneriteti i SHBA-së me Kosovën është i palëkundur”.

Një draft i publikuar dje për Asociacionin parashikonte që komunat me shumicë serbe të Kosovës (të shpërndara nëpër gjithë territorin e saj) të kenë Kuvend, President, Stemë, Flamur dhe sistem financiar më vete.

Gazeta Dita