Artistët performues, 70% e pagës për 5 vjet pas ndërprerjes së aktivitetit skenik

3 Shtator 2026
Një projektligj i ri parashikon një skemë financiare për artistët performues pas ndërprerjes së veprimtarisë së tyre artistike skenike dhe deri në momentin kur përfitojnë pensionin. Projektligji “Për trajtimin financiar të artistëve performues pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike skenike” i hedhur për konsultim nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit përcakton kushtet, kriteret dhe procedurat për përfitimin e këtij trajtimi nga punonjësit që kanë ushtruar profesione artistike performuese në institucionet publike të artit dhe kulturës.
Për balerinët, valltarët dhe akrobatët, skema nis në moshën 47 vjeç, me të paktën 15 vite aktivitet skenik dhe 15 vite sigurime shoqërore. Për këngëtarët lirikë dhe koristët, mosha është 57 vjeç, ndërsa kërkohen të paktën 20 vite aktivitet skenik dhe në rastin e koristëve 25 vite sigurime.
Për pesë vitet e para, artistët do të marrin 70 për qind të pagës bruto të muajit të fundit të punës. Pas kësaj periudhe, përfitimi do të jetë 50 për qind e pagës neto të referencës për profesionin. Një tjetër element i draftit parashikon që përfituesit, me kërkesë të institucionit publik, mund të angazhohen deri në 250 orë në vit pa shpërblim shtesë në aktivitete trajnuese, promovuese, artistike, kulturore ose në mentorim profesional.
Ky angazhim nuk do të konsiderohet marrëdhënie pune dhe nuk mund të përfshijë rikthimin e detyrueshëm në ushtrimin e rregullt të profesionit skenik. Skema do të financohet nga buxheti i shtetit, i cili do të mbulojë edhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore të përfituesve.
Projektligji parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa detajet e zbatimit do të përcaktohen me vendime të Këshillit të Ministrave.
