Nga falsifikimet e Kadastrës, te plumbat në Radhimë: = Prapaskena e konfliktit Muça-Bedinaj, qeveria dha leje në pronën e mbivendosur

3 Shtator 2026
Nga Orgen Peci
Një përplasje e ashpër për një pronësi në bregdetin e Palasës ka degraduar ditën e sotme në një ngjarje të rëndë me armë zjarri në zonën e Radhimës në Vlorë.
E vërteta e përplasjes në Vlorë: Nuk ka gjobëvënie, Bedinaj qëlloi mbi Muçën. Prona është blerë dy herë prej Muçës, ndërsa qeveria përkeqësoi situatën duke dhënë leje ndërtimi. Biznesmeni i njohur aksidentohet pas përplasjes, dhëndri i tij, në gjendje të rëndë
Në qendër janë dy emra të njohur të biznesit: Luan Muça, i njohur gjerësisht si “Luani i Deltës” dhe Vasil Bedinaj, pronar i disa hoteleve në Vlorë, i përfolur më parë për incidente të dhunshme dhe ndërtime pa leje.
Raportimet e para mediatike ngritën pretendime se Luan Muça, i shoqëruar nga një grup prej 10 personash (shifër që më pas u raportua deri në 40 persona) të mbërritur me 8 automjete, ka zbarkuar rreth orës 12:30 në ambientet e hotel “Regina” në pronësi të Bedinajt.
Sipas këtyre pretendimeve, pas një verbalizmi të ashpër dhe kërcënimeve direkte, situata ka eskaluar deri në nxjerrjen e armëve. Më tej, vetë Bedinaj ka pretenduar se Muça i ka kërkuar një “gjobë prej 5 milionë eurosh” ose largimin e tij nga Shqipëria brenda 48 orëve.
Por ndryshe nga versioni i gjobëvënies, burimet e para hetimore sugjerojnë një tablo krejt tjetër lidhur me rrjedhën e ngjarjes. Sipas të dhënave të para, të shtënat me armë zjarri kanë ardhur nga brenda vetë ambienteve të hotelit nga grupi i Bedinajt. Dy nga plumbat e lëshuar prej tyre janë gjetur në trupin e makinës së Muçajt, i cili është larguar pas të shtënave, por makina është aksidentuar më pas.
Nga aksidenti Muça ka mbetur i plagosur. Po ashtu edhe dhëndri i tij, i cili raportohet se është në gjendje të rëndë.
Genesis e konfliktit: Prona e blerë tre herë në Palasë
Pas këtij incidenti që tronditi qytetin bregdetar nuk qëndron një gjobëvënie e zakonshme, por një përplasje e thellë interesash për një sipërfaqe toke në Palasë, e përcaktuar për ndërtimin e një resorti luksoz me vlerë qindra milionë euro.
Muça ka blerë fillimisht tokën në Vlorë përmes Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) dhe ka siguruar vërtetimin përkatës të pronësisë. Mirëpo, menjëherë pas përfundimit të procedurave, në skenë kanë dalë disa banorë të zonës si pretendentë të së njëjtës sipërfaqe, të pajisur gjithashtu me AMTP nga periudha e drejtimit të Jorgo Gorës. Për të shmangur ngërçin dhe për të vijuar me lejen e zhvillimit, Muça hyri në negociata me banorët dhe e bleu për herë të dytë të njëjtën pronë.
Por biznesmeni Vasil Bedinaj ka blerë më pas një sipërfaqe tjetër ngjitur me këtë pronë (me dyshime të forta se një nga parcelat mbivendoset brenda tokës së blerë tashmë dy herë nga Muça), duke siguruar gjithashtu një vërtetim pronësie.
Hijet e krimit të organizuar dhe manipulimi në Hipotekë
Burime konfidenciale bëjnë me dije se pas kësaj qëndrojnë dy figura të njohura të krimit të organizuar, të cilat aktualisht janë shpallur në kërkim nga SPAK për vepra të rënda penale.
Mësohet se procedurat e mbivendosjes janë lehtësuar me ndikimin e një zyrtari të lartë me pushtet në Kadastër/Hipotekë, i cili u arrestua vetëm pak ditë më parë nga struktura e posaçme SPAK.
Një burim pranë Hipotekës konfirmon se ekzistojnë dyshime të forta se koordinatat e pronës janë manipuluar me dashje, duke e zhvendosur sipërfaqen nga zona kodrinore drejtpërdrejt mbi tokën e blerë dy herë nga Luan Muça.
Pavarësisht mbivendosjes flagrante ku e njëjta tokë është blerë tre herë nga pronarë të ndryshëm, Vasil Bedinaj ka arritur të sigurojë leje zhvillimi nga qeveria për një “projekt hi-tech.dhe kompleks vilash” me vlerë të deklaruar mbi qindra milionë euro.
Kjo mbetet edhe pikëpyetja më e madhe e këtij skandali. Si është e mundur që organet shtetërore kanë dhënë leje ndërtimi për një projekt gjigant në një hapësirë ku pronësia është e zhytur në kaos juridik, mbivendosje koordinatash dhe dyshime për ndërhyrje të krimit të organizuar?
Hetimet e policisë dhe prokurorisë vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti të rëndë.
DITA
