Artan Shabani, çmim të parë me “Utopia and devolution” në Venecia. –

Punët e artistëve shqiptarë prezantohen në “Biennale internazionale di arti vizive” Villa Farseti (Venecia). Çmimi i parë për artistin Artan Shabani me “Utopia and devolution”. Artistët Artan Shabani, Agron Hoti, Alkan Nallabi, Eltjon Valle dhe Guri Bulollari ishin pjesë e kësaj bienale, ku merrnin pjesë dhe artistë të tjerë nga bota. Pavioni i artistëve shqiptarë mori sërish vlerësim, dhe për artistin Artan Shabani kjo pjesëmarrje vjen në vijim të prezantimeve që artistët po vijojnë në aktivitetin e tyre. Këtë herë në Venecia, Artan Shabani tregon se puna e tij vjen përmes 6 portreteve.

“Puna ime me gjashtë portrete të mëdha, që ishin vaj i thatë në pëlhurë,  është një koncept politik, që unë kam mbi neomenklaturën dhe quhet “Utopia and devolution”, një art i pastër dhe direkt utopik. Unë luaj me ambiungitetin e ngjyrës, me teksiturën, me materialin dhe me faktin historik”, shprehet Shabani. Në vijim të aktivitetit të tij, si artist Artan Shabani së fundmi dhuroi një vepër të punuar prej tij për bamirësi. “Vepra ime u bë donacion, pra 100 përqind dhuratë sa i takon projektit në veri të Shqipërisë, ku familjet shqiptare prej janë në gjakmarrje. Paratë do të shkojnë në ndihmë të tyre. Kjo pikturë u shit diku te shifra 3500 euro në mbrëmjen gala, që u bë për ambasadorët e sportit shqiptar”, pohon Shabani.

Që nga koha që  është larguar si drejtor i GKA, Artan Shabani ka vijuar aktivitetin e tij si artist. Ai tregon se gjatë kësaj kohe ka punuar midis Italisë dhe Gjenevës, por zbulon dhe pak nga projekti i tij më i fundit që pritet në mesin e muajit tetor. Bëhet fjalë për një tjetër ekspozitë, për të cilën artisti Artan Shabani tregon se ka jo pak rëndësi në aktivitetin e jetës artistike në Shqipëri. “Unë muajt e fundit kam punuar midis Italisë dhe Gjenevës. Por këto kohë jam kthyer në Shqipëri dhe nga mesi i muajit tetor do të kuroj një ekspozitë me të cilën po punoj, që është gjysma e parë e 900 dhe i dedikohet influencave të shkollës së Italisë. Pra influencave, që kanë dhënë akademitë italiane dhe artistët shqiptarë. E mendoj si një surprizë për publikun, sepse do të ketë artistë me emër, që ne i kemi pjesë të gjysmës së parë të ‘900, por dhe të dytë. Kjo ekspozitë do të hapet në Shqipëri në rezidencën Italiane”, pohon artisti Artan Shabani.