Armatosja e Serbisë dhe deklarata e Edi Ramës acaron analistin kosovar

12 PRILL 2022

Serbia po armatoset për vetëmbrojtje, paska thënë Rama. Do të thotë Serbia na qenka e rrezikuar. Po prej kujt?

Armatosja e Serbisë dhe deklarata e Edi Ramës acaron analistin kosovar

Kryeminsitri i vendit, Edi Rama, ditën e sotme bëri një deklaratë në Berlin në lidhje me armatosjen e Serbisë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i profesorit të njohur dhe analistit politik, Blerim Latifi. Ky i fundit ka reaguar ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës.

Këtë reagim e bëri Latifi në rrjetin social facebook, pasi Rama ka thënë se armatosja e Serbisë nga Kina është për vetëmbrojtje dhe nuk ndihemi të rrezikuar.

Por Latifi e pyet Ramën se prej kujt qenka e rrezikuar Serbia?

Ai shkruan se mos vallë është e rrezikuar nga Kosova, Mali i Zi apo Bosnja?

“Kështu si ka filluar mos të çuditemi kur një ditë Rama të dalë dhe të thotë se edhe plani i BIA-s për ta vrarë Dick Martyn është bërë për vetëmbrojtjen e Serbisë”, shkruan Latifi.

Postimi i plotë:

Rama po vazhdon të bëj apologjinë e Vuçiçit. Tash edhe për militarizimin e Serbisë. Serbia po armatoset për vetëmbrojtje, paska thënë. Do të thotë Serbia na qenka e rrezikuar. Po prej kujt? Rama duhet të na e thotë. Mos vallë prej Kosovës? Apo prej Malit të Zi? Apo prej Bosnjës? Kështu si ka filluar mos të çuditemi kur një ditë Rama të dalë dhe të thotë se edhe plani i BIA-s për ta vrarë Dick Martyn është bërë për vetëmbrojtjen e Serbisë. Logjika kur e humb sensin e realitetit prodhon konkluzione nga më të çuditshmet.

Nga historia e dimë se agresionet më mizore janë bërë pikërisht në emër të vetëmbrojtjes. Hitleri u sul mbi Poloninë në emër të vetëmbrojtjes së Gjermanisë. Milosheviqi i dogji Kroacinë, Bosnjën e Kosovën poashtu në emër të vetëmbrojtjes së Serbisë. Putini po e shkatërron sot Ukrainën në emër të vetëmbrojtjes së Rusisë.

Vetëmbrojtja në gojën e autokratëve është eufemizëm për planet e tyre të agresionit. Natyrisht, Vuçiqi bën pjesë në familjen e tyre. Sot nuk i mban të veprojë si ata, sepse nuk janë rrethanat, por militarizimi i Serbisë na e tregon qartë se ai beson në ardhjen e çastit të volitshëm.

Por krejt këto nuk kanë kuptim për një njeri që kanë rënë në gjumin e ëndrrave të ditës të Ballkanit të Hapur.

E zgjimi nga ëndrrat e ditës është zgjimi më i vështirë, thotë Ernst Bloch.