Arkeologët polakë zbulojnë thesare karolinge

Monedha nga thesari i porsazbuluar karoling në afërsi të qytetit të Biskupiecit në Poloni. Foto: Muzeum ë Ostródzie.

Teksa kryenin gërmime në afërsi të qytetit të Biskupiecit në Poloni, arkeologët kanë zbuluar një rezervë me thesare argjendi nga shekulli i 9-të i erës sonë.

Kjo rezervë është identifikuar fillimisht në nëntor të vitit të kaluar nga anëtarët e “Gryf” Detector Association, që me këtë rast i kishin njoftuar Shërbimet e Mbrojtjes së Monumenteve në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë.

Ky grumbullim përbëhet nga 118 monedha të argjendta, denari dhe fragmente të tyre, që paraqesin mbretër e perandorë karolginë: Luigjin e devotshëm që sundoi nga viti 814 deri më 840 dhe Karlin Tullacin që sundoi nga viti 840 deri më 877.

Karolingët ishin një dinasti franke, e cila pikën e saj kulmore e arriti në vitin 800 me kurorëzimin e Karlemanjës si perandor i romakëve dhe Perandorisë karolinge. Me vdekjen e tij më 814, perandoria nisi të tatëpjetej e të shpërbëhej, duke çuar përfundimisht në evolucionin e Mbretërisë së Francës dhe Perandorisë së Shenjtë Romake.

Gjatë shekullit të 9-të, rrethinat e Biskupiecit banoheshin prej fisesh pruse, që përdornin kryesisht monedha arabe, me vetëm pak monedha karolinge që janë zbuluar paraprakisht nga ajo periudhë.

Ky grumbullim ishte vendosur në basenin e lumenjve Osa dhe Drwęca, degë të lumit Vistula që lidh lagunën e Vistulës ku u krijua vendbanimi kryesor viking i Trusos në brigjet e deltës së Nogatit.

Łukasz Szczepański nga muzeu në Ostróda ka thënë: “Vendbanimi viking në Truso dhe veprimtaria e ndërlidhur e vikingëve me gjasë tregon si arriti thesari në tokën e Prusisë së moçme. Në shekullin e 9-të, ne vëmë re një shtim të qartë kërcënimesh nga vikingët që merrnin pjesë në invazionet në Evropën Perëndimore. Parisi u rrethua në vitin 845 dhe në të njëjtën kohë skandinavët po bënin tregti aktivisht me viset baltike”.

Thesari do të shpaloset për publikun për herë të parë në Muzeun e Ostródas, kah mesi i muajit maj.