11 Shkurt 2023

Pjesë nga opinioni i shkruar nga Andi Bushati:

Por, sërisht pyetja mbetet pezull: çmund të bëjë opozita në këto kushte?

Njëra rrugë, më me risk, por më afat shkurtër, është ajo e sjelljes si një pakicë radikale. Duke i tejkaluar caqet e protestave të ligjshme, duke flirtuar me prishjen e paqes së rreme, ajo mund të prodhojë efektin psikologjik të një pushteti që nuk është i pa sfidueshëm. Kështu, nga njëra anë, do të trimëroheshin ata që e urrejnë këtë regjim kleptokratësh, por janë të tulatur ta demostrojnë ndjenjën e tyre me zë të lartë, ndërsa nga ana tjetër, do të krijonte përshtypjen e përgjithshme se kjo klikë që mendon vetëm për të grabitur, nuk është më në gjëndje të garantojë as siguri.

Rruga tjetër është më afatgjatë dhe kërkon shumë më tepër sakrificë dhe moral. Ajo do duhej të synonte mbledhjen e gjithë kundërshtarëve të regjimit rreth kësaj opozite, e cila, nga ana e saj, duhej të bëhej streha e njerëzve të vyrtytshëm e të besueshëm, përmes bashkimit fillestar të tërë faktorëve, që do të shërbente më pas si premisë për zgjerimin e radhëve përtej militantëve. Por ky projekt duket tepër idealist dhe i mundimshëm për njerëz që kanë objektiva imediatë.