26 Nentor 2025

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi gjatë një takimi me ambasadorin e Gjermanisë në vendin tonë, Karl Bergner ka ngritur shqetësimin e dosjes së Belinda Ballukut, që sipas tij “provon më së miri instalimin në Shqipëri të sistemit asgjësues për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

Bardhi thekson se Partia Demokratike mbështet fuqimisht procesin e integrimit europian ndërsa thekson se “jemi të vendosur që ky proces të sigurojë standarde europiane në jetën e çdo shqiptari dhe për këtë nevojitet që të jetë thellësisht i bazuar në meritokraci”.

“Për të bërë hapa para, Shqipëria ka nevojë të ketë një qeveri që del nga zgjedhje të lira e të ndershme, dhe që nuk e kthen në sistem vizionin: Vjedhim zgjedhjet që të vjedhim Shqipërinë. Shembulli i dosjes penale të Belinda Ballukut e provon më së miri instalimin në Shqipëri, gjatë këtyre 12 vite, të këtij sistemi asgjësues për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shkruan Bardhi.

Postimi i Gazment Bardhit 

Gjermania ka qenë dhe mbetet një mbështetje e madhe për afrimin e Shqipërisë me standardet europiane. Shqipëria Europiane nënkupton demokraci funksionale, zgjedhje të lira, institucione demokratike, luftë reale me tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për këtë pata kënaqësinë të bisedoja me Ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, z. Karl Bergner, të cilin e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj për integrimin në Bashkimin Europian.

Partia Demokratike mbështet fuqimisht procesin e integrimit europian dhe ne jemi të vendosur që ky proces të sigurojë standarde europiane në jetën e çdo shqiptari dhe për këtë nevojitet që të jetë thellësisht i bazuar në meritokraci.

Ndava qëndrimin tim, se për fakt të keq, në 12 vite të qeverisjes së Edi Ramës, në secilën nga elementët kyç të një shteti demokratik europian, Shqipëria ka bërë hapa prapa.

Për të bërë hapa para, Shqipëria ka nevojë të ketë një qeveri që del nga zgjedhje të lira e të ndershme, dhe që nuk e kthen në sistem vizionin: Vjedhim zgjedhjet që të vjedhim Shqipërinë. Shembulli i dosjes penale të Belinda Ballukut e provon më së miri instalimin në Shqipëri, gjatë këtyre 12 vite, të këtij sistemi asgjësues për të ardhmen europiane të Shqipërisë.