A do kete  taks nga Bashkia per Varrezat e Deshmoreve.-

Ndërkohë, në disa portale, të hënën qarkulloi një lajm në lidhje me një iniciativë të Bashkisë Tiranë për dhënien e administrimit të varrezave të dëshmorëve operatorëve privatë, nëpërmjet modelit të PPP-ve klasike, duke ngarkuar në faturat e ujit të qytetarëve një taksë të re të posaçme. Por një ditë më pas, ndoshta nisur dhe nga reaksioni i krijuar në publik, Bashkia e mohoi iniciativën dhe u kujdes ta servirte të gjithën si një sajesë të medias. Por burime të brendshme pohojnë se një projekt i tillë nuk është thjesht fantazi. Paradoksi i modelit të Erjon Veliajt qëndron në faktin që Bashkia ndërkohë që rrit taksat për qytetarët dhe bizneset, duke rritur rrjedhimisht dhe të hyrat në buxhetin e saj, nga krahu tjetër, nëpërmjet skemave të partneritetit publik-privat, heq nga vetja kryerjen e një sërë shpenzimesh/investimesh që do të justifikonin lekët e taksave që mbledh, duke ua ngarkuar qytetarëve këto shpenzimë me taksa ekstra. I ngjashëm me konçesionin e përfolur të varrezave, është dhe rasti i taksës së infrastrukturës arsimore, e cila është një taksë e veçantë që paguhet nga të gjithë qytetarët – të varfër, pensionistë, familje me ndihmë ekonomike, të papunë, etj. – për të krijuar fondin për ndërtimin e shkollave të reja. Dhe megjithëse çdo vit Bashkia grumbullon nga qytetarët dhe bizneset, jo pak, po rreth 6-7 milionë Euro si taksë për infrastrukturën arsimore, përsëri projekti i shkollave të reja do të kryehet nëpërmjet skemës së famshme të PPP-ve.

Megjithëse ka pasur në dispozicion 90 milionë Euro më shumë se administratat e kaluara, Bashkia përsëri zgjedh si model prioritar investimi partneritetin publik-privat që kushton jashtëzakonisht shtrenjtë, në vend që të përdorë këto lekë të taksave që mbledh nga qytetarët, për t’i realizuar vetë investimet duke ulur koston e tyre.

Huazuar me shkurtime nga Gazeta  Standart.