500 milion për një menu. – Alfio Rrotani,

500 milion për një menu. –  Kush është Alfio Rrotani, kuzhinieri që e presin në SPAK për tenderin e Tan Agollit

– 02.02.22

Jemi mësuar ta shikojmë në faqet e showbizz, në ndonjë emision gatimi apo përmes batutave, si i ftuar në emisionet e pasdites, por shumë shpejt Alfio Rrotani, kuzhinieri i famshëm do të ketë të bëjë me prokurorët e SPAK.

Ai është përfshirë në skandalin me tenderin e FSHZH të drejtuar nga Dritan Agolli. Bëhet fjalë për një tender për hartimin e menusë së projektit të “100 fshatrave” dhe realizimin e një dokumentari. Për këtë tender janë paguar plot 500 milion lekë dhe i përzgjedhur nga FSHZH është kuzhinieri Alfio Rrotani.

Përvec tenderit të fryrë, skandali thellohet edhe më shumë kur mësohet se Alfio ka punuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar” në Hallamaj tek Gjiri i Lalzit në Durrës. Restoranti është në pronësi të Flladi Agollit, djali i drejtorit të Fondit shqiptar të zhvillimit Dritan Agolli. Por kush është kuzhinieri i njohur dhe si ia doli ai të shndërrohej nga një emigrant i rikthyer rishtazi nga Italia, në shefin ‘me pesë yje’ që do të verifikohet nga SPAK?

Fituesi i Masterchef

Në vitin 2014, ai fitoi Masterchef. Djaloshi i kthyer nga Itali, arriti të bindte jurinë për talentin e tij në kuzhinë, duke nisur kështu një rrugë jo vetëm drejt kulinarisë, por edhe televizionit. Fill pas këtij konkursi, ai nisi të ishte gjithnjë e më prezent në media, ku iu dedikua edhe emisioneve të gatimit.  Së bashku me mikun e tij, Indrit Çela nisën në “Tv Klan” emisionin e gatimit “Bukë, kripë dhe zemër”, një emision që u prit shumë mirë nga publiku. Dhe menjëherë pas këtij formati, Alfio dhe Indriti sollën “Sfida e Gatimit”, sigurisht një emision gatimi, ku të ftuar të ndryshëm me ndihmën e shefave konkuronin me njëri-tjetrin.

Dy kuzhinierët ishin në ekrane edhe përgjatë verës, ku udhëtonin në vendet turistike, për të zbuluar më shumë nga kulinaria e qyteteve shqiptare. Me karizmën që e karakterizon, Alfio ia doli që ta shndërrojë këtë emision në një ndër më të dashurit në këtë zhaner. Sezonin e fundit televiziv, ai u shkëput nga miku i tij Indriti, duke u shfaqur i vetëm, teksa realizoi formatin “Aventura e Alfios”, ku veç kuzhinierit, atij iu desh të bënte edhe gazetarin, teksa intervistonte të ftuarit e tij.

500 milion për një menu. – Alfio Rrotani,

Biznesi

Suksesi në televizion, e shtyu edhe drejt suksesit në biznes. Ai së bashku me mikun e tij Indritin paralelisht me emisionin hapën edhe restorantin e tyre. “Kripë dhe Piper” quhet restoranti që dy shefat hapën së bashku, duke u shndërruar shpejt në një emër të suksesshëm në Tiranë. Të shpeshta janë postimet nga restoranti në rrjetet sociale, duke treguar përgatitjen e recetave, por edhe ambjentet e brendshme. Por dy shefat nuk u ndalën me kaq, duke e çuar eksperiencën e tyre në një tjetër nivel. Së bashku ata themeluan edhe shkollën e kuzhinës, “Masterchef”, duke përgatitur breza të ri kuzhinierësh në një formim që zgjat dy vjet.

Gazeta Shqiptare