
35 dosje që mund të shkaktojnë “tërmet” në politikë. – SPAK thellon hetimet për krimet zgjedhore, dokumente…
7 Maji 2025
Nga Elmas Bogdani
Në prag të përfundimit të fushatës zgjedhore, SPAK ka zbardhur dje një bilanc alarmues për situatën e krimeve zgjedhore në vend. Me 115 kallëzime të mbërritura deri më 5 maj dhe 35 hetime të hapura, struktura më e rëndësishme e drejtësisë në Shqipëri po futet në një fazë kritike hetimesh. Dosjet e hapura kanë potencialin të tronditin themelet e politikës dhe të ekspozojnë një sistem të deformuar të garës elektorale. Në listën e këtyre 35 dosjeve ndodhen prova të rënda, dokumente kompromentuese dhe dëshmi që mund të vendosin përballë drejtësisë figura të njohura të politikës, zyrtarë të lartë lokalë dhe njerëz me ndikim në terren.
Në disa raste, burime brenda hetimeve flasin për përfshirje të strukturave kriminale që kanë ndihmuar në manipulimin e votës dhe blerjen e saj në mënyrë të organizuar. Shumica e kallëzimeve kanë ardhur nga qytetarë përmes platformës online (35 raste), ndërsa një pjesë tjetër prej partive politike (25 raste) dhe nga Policia e Shtetit. Ajo që bie në sy është se në 8 raste SPAK ka nisur hetimet pa patur një denoncim konkret, por bazuar në informacionet dhe indiciet e mbledhura nga vetë prokurorët dhe BKH.
Zonat problematike
Elbasani, Fieri, Lezha, Shkodra dhe Berati janë identifikuar si zonat më problematike. Në këto qarqe, hetuesit kanë konstatuar modele të përsëritura të manipulimit, presione mbi votuesit, pagesa në këmbim të votës dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të individëve me ndikim në politikën lokale. Në Elbasan, ku dyshimet për krime zgjedhore janë të larta, SPAK ka zhvilluar dje një takim të posaçëm me përfaqësues të policisë së qarkut dhe strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Prokurorët Ols Dado dhe Ened Nakuçi ishin në terren për të koordinuar veprimet e mëtejshme në hetimet që janë në zhvillim. Për këtë fazë kritike është ngritur një Task-Forcë e përkohshme që do të funksionojë deri në fund të muajit maj, e drejtuar nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani.
Qëllimi i kësaj Task-Force nuk është vetëm të ndëshkojë individët e përfshirë, por të zbulojë rrënjët e manipulimit sistematik dhe të vendosë një precedent ligjor për të ardhmen. Nëse këto hetime prodhojnë rezultate konkrete, ato mund të çojnë në goditjen e rrjeteve që kanë deformuar procesin zgjedhor për vite me radhë dhe të japin një mesazh të qartë për aktorët politikë: pandëshkueshmëria nuk është më opsion. SPAK nuk ka dhënë ende detaje për emrat konkretë që janë nën hetim, por burime të afërta me hetuesit flasin për individë të lidhur me qarqet më të larta të partive, persona me precedentë penalë dhe funksionarë të administratës lokale. Dosjet përmbajnë, sipas këtyre burimeve, përgjime, video, dëshmi të qytetarëve dhe fakte që mund të vërtetojnë një mekanizëm të organizuar manipulimi në disa zona.
Në lojë futet dhe Prokuroria
Disa dosje SPAK ia ka kaluar për hetim dhe Prokurorisë. Mësohet se dje Prokuroria e Elbasanit ka regjistruar procedim penal për shpërdorim të autoritetit policor, pas denoncimit nga deputeti i PD Flamur Noka, për përfshirje të disa policëve në Elbasan dhe të burgut të Peqinit ishin përfshirë në fushatë për kandidaten e PS në këtë qark, Sara Mile. “Burgu i Peqinit si ndërmarrje me pronar Suel Çelën. Suel Çela e ka kthyer burgun e Peqinit në shtab zgjedhor të kandidates së PS, Sara Mile”, shkruante Noka në Facebook, duke listuar edhe emrat e efektivëve që denonconte. Prokuroria e Elbasanit njoftoi se ka nisur procedimin, duke ngritur një grup të posaçëm hetimor të përbërë nga prokurori i çështjes dhe tre oficerë të policisë gjyqësore pranë prokurorisë, nga të cilët po kryhen verifikimet dhe veprimet e para hetimore me karakter të ngutshëm, si pyetje të personave me dijeni për veprën penale, këqyrje pamjesh filmike, sekuestrime të provave materiale (aparate celulare, DVR) etj.
SPAK urdhëron prokurorinë e Fierit të nisë hetimet ndaj kandidates së PS
Gjithashtu SPAK përfundoi dje hetimet paraprake për kandidates së Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi, duke vendosur që çështja të kalojë për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Fierit. Sipas SPAK, ndonëse nuk provohet vepra penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”, nga verifikimet paraprake ngrihen dyshime për tre vepra të tjera penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Hetimi nisi pas publikimit në media të një audiopërgjimi ku Çaushi dëgjohet duke ushtruar presion dhe kërcënime ndaj një qytetari për qëllime elektorale. Prokuroria e Fierit do të vijojë me veprimet procedurale për të zbardhur të plotë rrethanat dhe për të përcaktuar nëse ka vend për ndjekje penale.