29 janari, pervjetor i ndarjes nga jeta te piktorit Edward Lear

29 Janar 2026
Më 29 janar 1888 u nda nga jeta piktori dhe udhëtari britanik Edward Lear, një nga dëshmitarët më të hershëm vizualë të Shqipërisë së shekullit XIX.

Gjatë udhëtimit të tij në vitin 1848, ai përshkoi një sërë qytetesh shqiptare, ndër to Tirana, Kruja, Shkodra, Durrësi, Kavaja, Berati, Himara, Vlora, Tepelena dhe Gjirokastra, duke i fiksuar ato me sy të mprehtë artistik dhe ndjeshmëri të rrallë.
Nga kjo përvojë lindën dhjetëra litografi që dokumentojnë pamjet urbane, kështjellat dhe peizazhet shqiptare të kohës. Këto punime u përmblodhën dhe u botuan në Londër, më 1851, në librin “Ditari i një piktori peizazhesh në Shqipëri”, një vepër me vlerë të veçantë historike dhe artistike.

Edward Lear
Krahas fotografisë së Edward Lear-it janë bashkëngjitur edhe tri nga litografitë e tij më përfaqësuese: pamja e kështjellës së Krujës (30 shtator 1848), pamja e Durrësit (3 tetor 1848) dhe pamja e Gjirokastrës (20 tetor 1848).


