16 mars – Drama e Sanatoriumit, tre mjekë dhe tre infermierë të infektuar me koronavirus

– 16/03/20

Tre mjekë dhe tre infermiere të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë janë bartës të virusit COVID-19. Dy mjekë rezultuan pozitivë një ditë më parë, ndërsa 4 të tjerët nga personeli shëndetësor i këtij spitali, u konfirmuan ditën e sotme, gjatë përditësimit të të dhënave nga zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, duke e çuar në 51 numrin e të infektuarve në vendin tonë.

Stafi mjekësor ka qenë në kontakt me pacientin që po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia i cili ka qenë bartësi COVID-19.

Mësohet se personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar.

Edhe në Durrës, tre ditë më parë, rezultoi një mjek si bartës i COVID-19, i cili është infektuar nga 73-vjeçarja që humbi jetën, e cila gjithashtu në fillim nuk tregoi për udhëtimin në Itali.

Gazeta Mapo