
“11 maji shumë i rëndësishëm, zgjedhjet e para pas hapjes së negociatave”. – Gonzato: Lufta ndaj krimit e korrupsionit, në zemër të bisedimeve me BE
2 Maji 2025
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, zhvilloi sot një takim me kryekomisionerin e zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pas takimit, Gonzato u shpreh për gazetarët se BE mbështet procesin zgjedhor në Shqipëri, por nuk ka asnjë rol ndërhyrës.
“Unë nuk bëj deklarata para zgjedhjeve,” tha ambasadori Gonzato, duke theksuar se Bashkimi Europian ka besim të plotë te misioni i ODIHR-it, i cili po monitoron nga afër zgjedhjet e 11 majit.
Ai rikujtoi se “lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është në zemër të negociatave për anëtarësim” dhe se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka një detyrë shumë të rëndësishme në këtë drejtim.
“BE është këtu për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit, jo për të ndërhyrë apo manipuluar ndonjë proces,” deklaroi Gonzato, duke kërkuar që vëmendja të fokusohet te garantimi i një procesi të drejtë, të lirë dhe transparent.
Gonzato: Unë nuk bëj deklarata para zgjedhjeve. Kemi besim te ODIHR dhe ka një mision të rëndësishëm këtu. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është në zemër të negociatave. SPAK ka një detyrë të rëndësishme. BE është këtu për të mbështetur Shqipërinë, jo të ndërhyjmë në procese. Nuk jemi këtu për të manipuluar asgjë.