Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hetim Penal apo kompromis politik

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 10 vite më parë

Skënder Minxhozi
Hetim Penal apo kompromis politik

Prokuroria shqiptare ka habitur shumëkënd dje, kur ka hapur papritur një çështje penale ndaj tre deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në bazë të një materiali filmik të shfaqur orët e fundit, ajo ka kërkuar hetimin penal të dy deputetëve të mazhorancës, për sherrin fizik me deputetin e PD-së, Strazimiri. Në listë është shtuar edhe emri i Astrit Velisë, e kjo e bën edhe më të habitshme këtë listë emërore.

Surpriza nuk ka të bëjë edhe aq me faktin se ndiqen penalisht tre përfaqësues të Parlamentit, pasi imuniteti parlamentar është anuluar që në shtator të vitit 2012. Ajo që ka bërë të ngrihen shumë supe, ka qenë përzgjedhja e personave të hetuar, si dhe momenti i hetimit e modalitetet e tij.

Do të kishte qenë gjëja më normale e botës që menjëherë pas ngjarjes së rëndë në Parlament, verën e shkuar, prokuroria të niste hetimet ndaj të dyshuarve. Nuk bëhej fjalë për ndonjë vjedhje tuneli diku në ndonjë majë mali, e as për ndonjë shkëmbim zjarri në pyjet e Pukës apo të Lunxhërisë. Gjithçka kishte ndodhur në një ambient me mbulim të fortë mediatik dhe në sytë e të gjithë deputetëve të Parlamentit. Megjithatë, asgjë nuk ndodhi.

Duket qartë se ngritja e akuzave ndaj deputetëve të mazhorancës, Ndreu e Ndoka, fsheh pas vetes një formulë politike. Jo se ata janë të pafajshëm, pasi hetimet do ta zbulojnë dinamikën e ngjarjes, por prej një rrethane tjetër “anësore”. Prej javësh, opozita gjendet jashtë Kuvendit, pikërisht për shkak të pretendimit për të hetuar deputetët në fjalë, të cilët goditën në ambientet e Parlamentit kolegun e tyre të djathtë. Në mënyrë të përsëritur, PD-ja ka kërkuar që Kryeministri Rama të japë një sinjal të qartë të dënimit të këtij akti, si parakusht për kthimin e demokratëve në Kuvend. Një qëndrim që i ka futur në një pikë të vdekur marrëdhëniet mes palëve, për sa kohë që as PD-ja nuk lëviz nga pozita e saj, e as qeveria nuk hedh ndonjë hap konkret për të përmbushur pretendimin e saj. E njohim prej shumë vitesh këtë politikë llogoresh, ku njëra palë vendos parakushte, ndërsa pala tjetër refuzon kategorikisht t’i marrë në konsideratë.

E gjitha kjo ndodh, pasi për shkak të sistemit partitokratik, ku jetojmë, drejtësia në të gjitha katet e saj, e ka tërësisht të pamundur të operojë e pavarur, kur sheh një kundërvajtje ligjore. Sidomos kur ajo kryhet nga persona të veshur me pushtet. Që veprimi i Prokurorisë së Përgjithshme ndaj dy deputetëve socialistë duket i dyshimtë, këtë e tregon fakti i thjeshtë i periudhës së gjatë kohore mes ndodhisë në fjalë dhe hapjes së hetimit penal. Përplasja fizike mes deputetëve të shumicës dhe Strazimirit është konsumuar në 10 korrik, më shumë se tre muaj më parë. Brenda pak minutave ajo ka pushtuar ekranet televizive dhe mediat e shkruara janë marrë gjatë me reagimet rreth saj. Prokuroria ka pasur të gjithë kohën, për të hetuar menjëherë pas incidentit. Pse iu desh të priste më shumë se tre muaj? Nuk e ka nisur dje hetimin, sepse kështu “e ka parë të udhës” apo po e nis sot atë sërish, sepse kështu i duket se “është më mirë”?! A mos po përdoret hetimi ndaj Ndokës e Ndreut, për të kthyer demokratët në Kuvend, pas disa muaj bojkoti?!

Nga ana tjetër, përfshirja e deputetit Veliaj në këtë aferë, duket sikur është bërë enkas për të ekuilibruar sadopak listën e të akuzuarve. Po marrim dy majtas, le të marrim dhe një djathtas, duket sikur thotë veprimi i prokurorisë.

Që politika të gjejë kompromise dhe shmangie nga krizat, kjo është një gjë e mirë. Por që për të zgjidhur hallet e politikës, të “merren me qira” institucionet e drejtësisë, kjo është diçka jo normale. Drejtësia duhet të jetë në gjendje të bëjë punën e saj në kohën dhe përmasat e nevojshme, pavarësisht kalkulimeve dhe taktikave të klasës politike. Një hetim penal duhet të mbetet i tillë në çdo rrethanë, e jo të përdoret si kompromis i kamufluar politik. Kur hetimi ngatërrohet me interesat dhe përllogaritjet politike, ai bëhet gjithmonë pis. Në këto kushte, një hetim ndaj një apo më shumë politikanësh i filluar vonë, mund të tingëllojë po aq i panatyrshëm e i sforcuar sa edhe një hetim i panisur asnjëherë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama