Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Llokoçitje zgjedhore

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Llokoçitje zgjedhore

Në fjalorin e astronomisë, termi “solstic” shënjon atë çast gjatë vitit kur Dielli është më larg, në veri ose në jug nga ekuatori; kështu, flitet për dy lloje solsticesh, ai i verës (22 qershor), dita më e gjatë e vitit, dhe ai i dimrit (22 dhjetor), nata më e gjatë e vitit. Le të qëndrojmë te solstici i verës, 22 qershori, pra, dita më e gjatë e vitit. E nesërmja e kësaj dite, d.m.th. 23 qershori, i bie të jetë e dyta ditë më e gjatë e vitit. Por askush deri para disa kohësh nuk fliste për këtë ditë, e cila, ndonëse asnjë fjalor nuk e përmend, merr sot në Shqipëri një rëndësi të veçantë: është dita e zgjedhjeve kuvendore, për të cilën tashmë po derdhen lumenj boje e fjalësh në mediat tona të shkruara dhe elektronike.

Në këtë kuadër, si zakonisht (por, ndoshta, edhe më shumë se zakonisht), politikën dhe politikanët shqiptarë, si edhe zgjedhësit e thjeshtë, anonimë, i kanë zënë ethet e zgjedhjeve, për të mos thënë zgjebja e zgjedhjeve! O Perëndi, ç’kruajtje politike po na zënë sytë e po i bëjmë trurit!

E gjithë kjo kruajtje kombëtare po shoqërohet me një llokoçitje të paparë nga baza në majë të piramidës sonë politike, që nga Kuvendi e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri te bashkitë e, mbase, komunat. Nga ana tjetër, çka bie në sy në këtë llokoçitje të përgjithësuar, është shfaqja e asaj që disa analistë e kanë quajtur dikur “poli i tretë” në politikën shqiptare, risi e rëndësishme kjo në një vend si i yni, ku refleksi bardhezi në politikë e kudo, pra, bipolariteti (në veçanti bipartizmi) ka mbizotëruar dhe ende mbizotëron.

Por, me sa duket, politika shqiptare kërkon me çdo kusht pole të tjera, sepse, helbete, dy pole nuk mjaftojnë, mekanizmi i alternancës bipolare, thënë më troç, “një herë unë e një herë ti”, ose “një herë ma hipe e një herë ta hipa”, duhet përsosur për të funksionuar më mirë. Sot, rolin e polit të tretë po përpiqet ta luajë djathtas partia “Fryma e Re Demokratike” ndoshta duke bashkëpunuar me Aleancën Kuqezi (që duket sikur përpëlitet brenda qendrës pa harruar të hedhë ndonjë vështrim shkarazi edhe majtas), madje edhe me Partinë Demokratike (por pa Berishën, sipas Topit), kurse Lëvizja Socialiste për Integrim duket se po kthehet në një faktor qeverisës vendimtar përmes aleancave herë djathtas (deri dje me Partinë Demokratike) e herë majtas (sot e nesër me Partinë Socialiste). Karakteristikë e kësaj partie është se po shfaqet si parti-lavjerrës, pra, që rreh herë majtas e herë djathtas, duke ndjekur pak a shumë kështu taktikën e famshme leniniste “Një hap përpara, dy hapa prapa”, pra, në rastin e saj, më shumë majtas sesa djathtas.

Me shumë gjasë, ndonëse përkohësisht, do të bëhemi me katër pole, dy të mëdha, PD e PS, dhe dy të vogla, FRD (+AK?) e LSI. Polet e mëdha do të kenë nevojë, për të qeverisur, për polet e vogla apo, më saktë, për polkat, po të përdorim një term përkëdhelës. Në këtë pikë, lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm mund t’i lindë me shumë të drejtë pyetja:

“Po përse, në fund të fundit, të mos qeveriset vendi me katër pole, dy të mëdha e dy të vogla? Qeverisja me një e vetëm një të tillë krijon gjithmonë probleme e tensione, historia e ka dëshmuar këtë më së miri; qeverisja me dy polet e mëdha është e pamundur, se këto pole vërtet janë me peshë, por, njëkohësisht janë edhe krejt të kundërta, aq sa, pa rrezikuar të gabohemi, mund të flasim për një antagonizëm të mirëfilltë Berisha-Rama; qeverisja tripolëshe, nga ana e saj, do të ishte përjashtuese dhe, rrjedhimisht privuese, për polkën e katërt. Prandaj e kuptoj shqetësimin politik të lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm: katër pole në pushtet, asnjë i pakënaqur, “nga secili sipas mundësive, secilit sipas punës”, zbatim i përkryer i formulës së famshme marksiste-leniniste të kryerjes së punës dhe të shpërblimit të saj dikur në shoqërinë tonë socialiste, sot edhe në atë socialkapitaliste!

Kam përshtypjen, madje hera-herës bindjen se e gjithë kjo llokoçitje zgjedhore po konkretizohet, dashje, pa dashje, me një çoroditje të zgjedhoratit shqiptar, për të cilin, pas më se njëzet vjetësh luhatjesh tranzicionale, dilema po bëhet hamletiane në vigjilje zgjedhjesh kuvendore apo vendore: Të gënjehesh apo të zhgënjehesh, kjo është çështja! Sidoqoftë, për ta bërë këtë dilemë sa më pak të dhimbshme (me ose pa germat “m” e “b” të kësaj fjale), do të kishte qenë me vend sikur politikanët tanë të ishin marrë vesh me astronomët apo me astrofizikanët në nivel ndërkombëtar, sigurisht, në mënyrë që, këtë vit, solstici i verës të shtyhet me 24 orë po qe se ne, zgjedhësit, do të dëshironim që zgjedhjet e këtij 23 qershori të hynin në historinë e politikës shqiptare si zgjedhje për t’u mbajtur mend, për mirë pa mëdyshje, duke përuruar kësisoj themelimin e një shkence të re, me përmasa ndërplanetare, të quajtur astropolitikë, shkencë e shpikur nga ne, shqiptarët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama