Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Votalypësit

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Votalypësit

Sigurisht, me thellimin e krizës ekonomike botërore, edhe në Shqipëri po ndihen pasojat e saj në jetën e përditshme, e cila vendevende po shtrenjtohet e vështirësohet njëkohësisht. Bie në sy, ndër të tjera, edhe shtimi i numrit të lypësve: ata janë të të gjitha moshave, të të dyja gjinive, madje edhe të së tretës; midis tyre ka të verbër, sakatë të lindur, të gjymtuar nga lloj-lloj aksidentesh, të sëmurë mendorë e plot të tjerë; disa syresh kanë mësuar përmendsh formula të gatshme për t’ua prekur kalimtarëve telat e dhembshurisë; disa të tjerë mbajnë kartonë me nga një mbishkrim që shpjegon problemin e tyre.

Sidoqoftë, qytetarët e Tiranës, me gjithë shtrëngesën për shkak të krizës, nuk ngurrojnë ta fusin dorën në xhep, sidomos për lypësit pleq e sakatë, dhe kënaqen me një falënderim të tipit “Ta boft’ Zoti m’arë!”. Sidoqoftë, diçka e re ka rënë në sy këto kohët e fundit, sidomos në kryeqytetin tonë të ethshëm, që me fillimin e fushatës së partive për zgjedhjet e 23 qershorit: është shtuar numri i lypësve. Vetëm se nuk bëhet fjalë për lypësit e zakonshëm, për ata që mund të quhen profesionistë të lypjes. Jo, këta lypës nuk kërkojnë lekë, euro apo dollarë. Jo, ata nuk janë zhelanë.

Jo, ata nuk kanë asnjë lloj të mete, fizike apo mendore qoftë ajo. Ata shfaqen sa herë ka zgjedhje kuvendore apo vendore. Emrin e tyre, që ia kam vënë si titull këtij shkrimi, e kam sajuar unë pa pikë modestie në gjuhën shqipe (mos vallë duhej t’i kisha marrë paraprakisht leje Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë sonë të Shkencave?). Votalypësit, ata që lypin votat e zgjedhoratit shqiptar. Lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës patjetër që i ka vënë, madje, me shumë gjasë, edhe ka shkuar t’i dëgjojë në takimet apo tubimet publike që ata organizojnë pa u lodhur, duke buzëqeshur, duke premtuar, duke i siguruar e bindur dëgjuesit se duhet të kenë besim tek ata, se vota e tyre, vota e lypur për të mirën dhe për të ardhmen e tyre, do të sjellë frytet e saj vetën nën udhëheqjen e partisë së tyre. Gjithsesi, këta votalypës, pavarësisht gojëtarisë së tyre, e kanë një të metë.

E meta e vetme e tyre ka karakter të dyfishtë: së pari, ajo ka të bëjë me ndershmërinë e tyre intelektuale sepse, normalisht, para se të lypin votat e popullit, ata duhet t’i përmendin atij jo vetëm sukseset e korrura, pra, premtimet e mbajtura kur ishin apo janë ende në fuqi, por edhe dështimet, pra, premtimet e pambajtura; së dyti, ajo ka të bëjë me ndjeshmërinë e tyre shpirtërore, d.m.th. ata duhet të mendojnë për të tjerët para se të mendojnë për vetveten, pra, për xhepat, kasafortat, llogaritë e tyre bankare brenda dhe jashtë shtetit. Sepse, në këtë pikë, proverbi shqiptar “Të shkuara, të harruara” nuk ka vlerë, madje unë do t’i propozoja Institutit të lartpërmendur që, në fjalorët e tij të ardhshëm, ta ndryshonte atë duke e rishkruar si vijon: “Të shkuara, të paharruara”, proverb i vlefshëm si për pozitën që mund të kthehet në opozitë, ashtu edhe për opozitën që mund të kthehet në pozitë, por veçanërisht edhe për votalypësit tanë të sotëm.

Së fundi, meqë sapo përmenda fjalorët e gjuhës shqipe, po i jap vetes të drejtën t’i propozoj lexuesit tim, duke u nisur nga “Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe” (Botimet EDFA, Tiranë, 2007), një variacion mbi fjalën “lypës”. Kjo fjalë paska një numër sinonimesh, nga të cilët po veçoj disa: kështu, në shqipe të pastër, “lypësit” i thënkan edhe “lypsar” (d.m.th. që “lyp ar”, meqë votat janë shumë të vlefshme, sepse të çojnë në pushtet dhe pushteti të çon detyrimisht te paraja), “lypacak” (d.m.th. që votat i “lyp pa cak”); së fundi, “lypësit” i thonë edhe “derës”, “përderës” dhe “rrahaderë”, d.m.th. që “i bie derës”, që troket “në derë” për të lypur para ose, në kontekstin parazgjedhor, vota. Mirëpo lypja e votave kërkon njëfarë stili, sepse zgjedhësve nuk mund t’u thuhet, pasi ua ke marrë votat, “Ta boft’ Zoti m’arë!” siç falënderojnë lypësit e zakonshëm ose profesionistët e lypjes. Votalypësi duhet të jetë pak psikolog, pak hipnotizues, pak magjistar kur u kërkon votat zgjedhësve, përndryshe këta mund zhgënjehen dhe t’ia këndojnë bukur fort këngën e Bleona Qeretit “Ti nuk di as me ma lyp”!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama