Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shtriganët e Salepit

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Shtriganët e Salepit

Sigurisht që lexuesi i rreg ullt i kësaj rubrike të përjavshme, veçanërisht ai me njëfarë kulture politike, e di se çfarë është makartizmi; gjithsesi, atyre që nuk e mbajnë mirë mend, po u kujtoj shkurtimisht se fjala “makartizëm” vjen nga mbiemri i senatorit amerikan Mccarthy, i cili, në vitin 1947, u bë shumë i njohur për fushatat e tij të shfrenuara antikomuniste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër shumë personaliteteve politike dhe intelektuale të akuzuara për simpati komuniste, simpati që, jo rrallëherë përbënin thjesht një pretekst për t’i diskredituar apo edhe për t’i hequr qafe ato. Këto praktika u zhvilluan nëpërmjet asaj që u quajt “gjuetia e shtrigave”, sipas dramës “The Crucible” së Arthur Millerit, shkrimtar i njohur amerikan i së njëjtës periudhë, dramë të cilën publiku shqiptar e njeh nën titullin “Shtrigat e Salemit”.

Meqenëse nuk kam ndër mend t’i tregoj lexuesit tim, qoftë dhe shumë përmbledhtas, brendinë e kësaj drame, do të mjaftohem duke i thënë se ajo përkon, në gjuhën dhe mendësinë tonë, me shprehjen “le të digjet edhe bari i njomë me të thatin”. Gjithsesi, duke qenë se sapo përmenda fjalën “bar”, kam idenë se lexuesi im nuk është nga ata që hanë bar (edhe pse jemi në kohë krize, ngaqë boll kemi ngrënë njëherë e një kohë, kur jetonim “si në rrethim”), prandaj, që atij të mos ia shërbejnë barin për bakllava apo sapunin për djathë dhe, aq më pak, m…tin për mjaltë, sidomos tani që pritet dorëzimi i pushtetit nga e djathta e mundur së majtës ngadhënjimtare, po i lejoj vetes këtë përsiatje të shpejtë lidhur me makartizmin dhe, në veçanti, me “gjuetinë e shtrigave”.

Ky togfjalësh i fundit është përmendur në mediat tona, qoftë të shkruara, qoftë elektronike, gjatë këtyre dy dekadave tranzicion pas shembjes së komunizmit në vendin tonë. Është përmendur sepse, sa herë ka pasur kalim të pushtetit qendror, por edhe të atij vendor, nga e majta tek e djathta dhe anasjelltas, janë vënë re prirje për “larje hesapesh” të padrejta, pra, për “gjueti shtrigash” në kuptim e largimit pak a shumë të kamufluar nga administrata publike, madje edhe nga institucione kulturore apo shkencore, të disa figurave apo personaliteteve të afta, vetëm e vetëm se diheshin simpatitë e tyre politike, madje duke rënë kështu në kundërshtim me ligjet dhe, sidomos, me normat e moralit, pa të cilin vetë ligjet përçudnohen e, rrjedhimisht, zhvleftësohen.

Ajo çka më ka shqetësuar, madje edhe trembur, gjatë këtij tranzicioni, ka qenë edhe mbetet fakti se “gjuetia e shtrigave” ka prekur, po prek e do të prekë, me shumë gjasë, deri edhe kategori sociale të pambrojtura, si për shembull, nëpunësit e vegjël të administratës publike (shoferë, pastruese, roje institucionesh etj., etj.). Në shkrimin tim të një jave më parë theksova diçka për individët e tipit “homo militantus”, të cilët rrezikojnë të përdoren nga partitë e tyre në pushtet për të promovuar pikërisht “gjuetinë e shtrigave” duke asnjanësuar një numër kuadrosh të konsideruar si “kundërshtarë” nga pushtetarët e rinj jo vetëm në rrafshin e ideve e të prirjeve politike, por edhe në atë të aftësive profesionale, shkencore, kulturore e artistike. Sot po dëgjohen, në radhët e militantëve rozë, shprehje të tilla si: “Tani e kemi radhën ne”; “Ja, na erdhi edhe neve dita”; “Në këtë botë lahen të gjitha”; “Një herë ma hipe ti, tani do të ta hip unë”, shprehje këto me kumbim të frikshëm politik e social.

Me kumbim të frikshëm, ndër të tjera, sepse diçka lënë të nuhasësh e të kuptosh lidhur me ata që po e drejtojnë këtë “gjueti shtrigash”. Në këtë pikë unë do të dëshiroja që të shfaqej një Arthur Miller shqiptar, i cili të shkruante një dramë jo më me titullin “Shtrigat e Salemit”, por me atë “Shtriganët e Salepit” (“salep” në kuptimin nolian të fjalës: pushtet që merret e përdoret abuzivisht si pronë vetjake). Janë pikërisht këta shtriganë që, sipas mendimit tim, nuk kanë reshtur së frymëzuari, orkestruari e drejtuari “gjuetinë e shtrigave” në Shqipërinë e sotme ku reflekset e vjetra, me sa duket, do ta kenë jetën fort të gjatë edhe për disa dekada të tjera, fatkeqësisht.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama