Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tujan: krim ekologjik

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Tujan: krim ekologjik

I bukur, me ujëra të kulluara, lumi i Tiranës, tek rrjedh i paqtë, i kaltër, nanuritës tani në pranverë, përgjatë Shkallës së Tujanit, vetëm 20 minuta me makinë larg kryeqytetit tonë të zhurmshëm, të pluhurosur e stresues. Sigurisht, kanionet e tij të mrekullueshme nuk janë më ato të parat, sepse zhvillimi ka haraçin e tij të rëndë, sidomos në Shqipëri, ku ndërtimet e reja, sado madhështore, lënë gjurmë shkatërruese te mjedisi: atje kur po hapet, shtrohet e rregullohet Rruga e re e Arbrit, më saktë rrëzë parapeteve të saj, kanionet janë mbushur përgjysmë me shkëmbinj, gurë e çakëll. Këtë dukuri po vëzhgoja dje rreth orës 13:00 tek po kthehesha në këmbë nga Shupali bashkë me një poete e romanciere shumë të njohur, me dy miq e kolegë të një universiteti publik të Tiranës e me djemtë e tyre, me mikun tim të vjetër T. H. dhe me udhërrëfyesin E. Ecnim dhe admironin natyrën e virgjër e të bukur të këtyre viseve.

Pasi u lamë në lumë, ndoqëm Rrugën e Arbrit duke kërkuar vende më të përshtatshme për plazh, kur, befas, shtangëm në vend e nuk po u zinim besë syve: buzë ujërave të rrjedhshme pamë, të skandalizuar, një grumbull të madh me kuti, disa prej tyre të çara, të mbushura me ilaçe e produkte të tjera farmaceutike, si edhe ca thasë plastmasi, edhe ata të çarë, plot me një lëndë kokrrizore në trajtë llaçi me një bardhësi të frikshme. Këtë spektakël të llahtarshëm, më saktë, këtë krim ekologjik të pavënë re e të padënuar, e pikasëm diku nja dhjetë minuta në këmbë para se të mbërrinim te vendi ku ngrihet një portal me mbishkrimin “Kuka 2012”, atje ku para disa kohësh ende funksiononte një lavatriçe materialesh inerte, ku ngrihet lapidari i një punëtori të vrarë aksidentalisht para disa vitesh, ku po mbillen pemë, sepse do të ndërtohet, për kryeqytetasit e turistët, një kompleks me qendër rritjeje peshku, restorant e mjedise çlodhëse. Takova dy punëtorë. I pyeta për ilaçet e skaduara të hedhura në lumë.

Përgjigjja e tyre më tronditi: para rreth një muaji i kishin hedhur atje fshehurazi, me siguri natën. Ujërat e bollshme e të rrëmbyera kishin marrë me vete një pjesë të ilaçeve në fjalë. Të nesërmen lumi shkumëzonte dhe në zallishtë zbardhnin barqet e peshqve të ngordhur: termi më saktë do të ishte “të helmuar”. Krim ekologjik. Njëzet minuta larg Tiranës. Njëzet minuta larg Ministrisë së Mjedisit (Mos vallë, rastësisht, i takonte zotit Fatmir Mediu të kryente pa më të voglën vonesë ndonjë veprim të ligjshëm, qoftë edhe për sevap, ose, të paktën, të alarmonte kreun e qeverisë?). Njëzet minuta larg Ministrisë së Shëndetësisë (Mos vallë, rastësisht, i takonte zotit Halim Kosova të kryente pa më të voglën vonesë ndonjë veprim të ligjshëm, qoftë edhe për sevap, ose, të paktën, të alarmonte kreun e qeverisë?).

Njëzet minuta larg Ministrisë së Brendshme (Mos vallë, rastësisht, i takonte zotit Flamur Noka të kryente pa më të voglën vonesë ndonjë veprim të ligjshëm, qoftë edhe për sevap, ose, të paktën, të alarmonte kreun e qeverisë?). Njëzet minuta larg selisë së qeverisë, pra, larg zyrës së zotit Sali Berisha, të cilin, me sa duket, do të ishte dashur ta lajmëronin dy punëtorët që më rrëfyen me zë të dridhur këtë ngjarje tronditëse, këtë spektakël të llahtarshëm, këtë krim ekologjik në lumin e Tiranës, njëzet minuta larg kryeqytetit tonë indiferent? Veçse punëtorët e shkretë, por të ndershëm, nuk e kishin, as e kanë numrin e tij të telefonit apo të celularit, aq më pak adresën e tij elektronike, siç nuk kanë ata të ministrave të sapopërmendur.

Sidoqoftë, duke qenë se kutitë me ilaçe të skaduara dhe thasët plastmasi me lëndë farmaceutike toksike vazhdojnë të qëndrojnë atje, buzë ujërave të rrjedhshme të lumit të pafajshëm të Tiranës; duke qenë se këto ujëra derdhen e do të derdhen në lumin Ishëm dhe, që andej, në detin Adriatik; duke qenë se këto ujëra vadisin e do të vadisin toka ku kultivohen bimë, me të cilat ushqehen e do të ushqehen njerëz e kafshë; duke qenë se në këto ujëra lahen e do të lahen bija e bij nënash e etërish, pra, fëmijët tanë; duke qenë se një grup antibashkatdhetarësh të tipit homo albanicus kontribuon kësisoj në ndotjen dhe helmimin e viseve e të jetëve jo vetëm shqiptare, por edhe ndërkombëtare, atëherë reago, o lexues i ndershëm e i tronditur i rubrikës sime të së dielës, reago të paktën kundër këtij krimi ekologjik në kanionet e lumit të Tiranës, te Shkalla e Tujanit, njëzet minuta larg kryeqytetit tonë sa të dashur, aq edhe të tejndotur!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama