Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lavjerrës

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Lavjerrës

Prishja (e pritshme prej disa kohësh) e koalicionit qeverisës PD-LSI nga kjo e fundit nuk e di përse më solli në mendje, vetvetiu dhe krejt natyrshëm, fjalën që ky shkrim mban për titull. Lavjerrës. Fjalë tejet interesante. Tërheqëse. Gati e mistershme: një trup që qëndron i varur pezull dhe që lëkundet pa pushim nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas, nga e djathta në të majtë!

Magnetizmi i fuqishëm i kësaj fjale, sipas meje të paktën, shpjegohet si vijon: Së pari, me tri shkronjat nistore: l-a-v (lavë vullkani? love në anglishte apo lavër te shprehja “e bëj lavër”, d.m.th. “e prish, e përmbys dhe e bëj rrëmujë diçka”?). Së dyti, tek rrëmoja në Fjalorin e gjuhës shqipe (Tiranë, 2006), për të parë përkufizimin e saktë të fjalës “lavjerrës”, u habita tek vura re se kësaj fjale i paraprinte fjala “lavire”, sidomos me dy nga tri kuptimet e saj: 1. leckë, rreckë; rreckë e ndyrë. 2. femër e përdalë. 3. lëvare. Së treti, por jo më së paku, me dy rrokjet e saj fundore “vjehrrës”, sepse më çoi drejtpërsëdrejti te fjala “vjehërr” dhe që këtej te proverbi “për inat të sime vjehrre do të fle me mullixhiun”. Meqë ra fjala për proverbat, më bëri përshtypje se tek i njëjti fjalor i gjuhës shqipe, proverbin e sapopërmendur me vjehërr dhe mullixhi (proverb socialerotik, pa dyshim) nuk e gjen as te fjala “vjehërr”, as te fjala “mullixhi”, as te fjala “inat”.

Sa e tmerrshme: shkenca leksikografike shqiptare vazhdon me komplekset dhe paragjykimet e saj të vjetra për (social)erotizmin! Por nuk e di përse ky përfundim si edhe fjala “lavire” më sollën në mendje, sërish vetvetiu dhe krejt natyrshëm, një proverb tjetër jo me fjalën “lavire”, por me sinonimin e saj “kurvë”. Cili është ky proverb? Oh, lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm, mos bëj sikur nuk e di, lëri komplekset dhe paragjykimet mënjanë, të lutem, të përgjërohem, dhe mos e zemëro popullin shqiptar duke ia mohuar proverbat e tij më të goditur, më të thekur, më të shkëlqyer! Cili të jetë vallë ky proverb? Ti kërkon që të ta them unë? Mirë atëherë, me lejen tënde po ta freskoj kujtesën e ndershme anekënd të moralshme: Populli ynë i ka disa proverba me fjalën “kurvë”, nga të cilët na intereson ky: “Politika është kurvë”! E thashë! E shkrova! Jam krejt i bindur e i sigurt me 1000, 10 000 apo madje 100 000 për qind që ti e kishe në majë të kujtesës e të gjuhës këtë proverb, por nuk guxoje të ma thoshe qoftë edhe me zë fare të ulët apo të ma shkruaje edhe fare pa zë.

Gjithsesi, lexuesi im i dashur, mos nxito ta kërkosh këtë proverb mbarëshqiptar tejet të lashtë në fjalorët e gjuhës shqipe, thjesht sepse nuk ke për ta gjetur as te fjala “politikë”, as te fjala “kurvë”. Nuk ke për ta gjetur për të njëjtat arsye si për proverbin me vjehërr dhe mullixhi. Siç nuk ke për të gjetur as proverbin “Stambolli digjet, kurva krihet” (të cilin, për hir të marrëdhënieve të mira shqiptaro-turke, do të bënim mirë ta rishkruanim: “Tirana digjet, kurva krihet” ose, për të qenë më trendy, “Tirana përvëlohet, kurva depilohet”). Por ti mund të pyesësh: “Përse na qenka politika kurvë?”, pyetje retorike, pa diskutim, sepse ti e di mirë përgjigjen të cilën unë nuk po ta jap, por do të saktësoj se vërtetësinë e pakundërshtueshme të proverbit në fjalë e ka dëshmuar e stërdëshmuar përvoja e popullit tonë dhe ajo e popujve të tjerë në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet! Kjo është aksiomë, nuk ka nevojë për vërtetim, a më kupton i shtrenjti lexuesi im?

Sidoqoftë, do të dëshiroja jashtëzakonisht që ti t’i përgjigjesh, me gojë apo shkrim, në konfidencë apo publikisht, një pyetjeje të fundit nga ana ime: Meqë, proverbialisht, i bie që politika të jetë kurvë, si mund dhe duhet t’i cilësojmë rrjedhimisht e logjikisht politikanët, pra, ata që merren me politikë, që i rendin kësaj nga prapa, që sillen si lavjerrës duke u lëkundur sa majtas-djathtas dhe, anasjelltas, sa djathtas-majtas? O lexues im i vyer, sa larg më, të, na paska çuar fjala “lavjerrës”, të cilën nuk e di përse ma solli në mendje, vetvetiu dhe krejt natyrshëm, prishja (e pritshme prej disa kohësh) e koalicionit qeverisës PD-LSI nga kjo e fundit. Zoti më, të, na ruajttë nga fjalë të tjera, në dukje po aq të pafajshme sa fjala “lavjerrës”, por në thelb edhe më të helmëta që mund të më, të, na çojnë drejt proverbash edhe më të llahtarshëm sesa të lartpërmendurit në këtë prag zgjedhjesh parlamentare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama