Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mjerim mjedisor

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Mjerim mjedisor

Kam kohë pa bredhur më këmbë jashtë Tiranës, kështu që nuk e di se ç’ndodhme ndotjen mjedisore që gjeneronte vitin e kaluar ajo krijesë bashkëkombëse, të cilën dikur, në rubrikën time të përjavshme, e pata cilësuar me shprehjen homo plasticus; nuk e di, pra, se si është gjendja e bregdetit, e lumenjve, e luginave dhe e fshatrave, ku gjithfarësoj objektesh plastike krijonin pa droje, gati-gati me krenari, instalacione e performanca të përbindshme, të cilat, po të kishte gojë e mushkëri natyra jonë e bukur, por e plagosur rëndë, do të vinte kujën dhe ulërimën për të protestuar e, ndoshta, për të ngritur krye kundër krijesës në fjalë.

Por, në këtë fillim viti, pikërisht kjo natyrë, bij të së cilës jemi të tërë, ndonëse e quajmë veten qenie shoqërore par excellence, kjo natyrë, pra, aq bujare dhe, njëherazi, aq e neveritur nga ne që e shfrytëzojmë dhe e ndotim pa pikë mëshire, më krijoi kushtet të vëreja me sytë e mi, vetëm shtatë minuta larg banesës sime dhe bash mu në zemër të kryeqytetit, një instalacion a performancë, quajeni si të doni, që më kujtoi se ndotja mjedisore sot po paraqitet edhe si zbukurim i neveritshëm, fryt i paturpshëm i papërgjegjshmërisë qytetare edhe të shumë prej banorëve të kryeqytetit. Po shpjegohem: Në krye të rrugës “Mine Peza”, jo më pak se njëqind metra larg Muzeut Historik Kombëtar, në të djathtë, prapa pallateve, atje ku rreshtohen vetëm agjenci udhëtimi, sapo kalon njëfarë tuneli, ka disa shtëpi të ulëta me oborr.

Njëra nga pemët e larta, tani që i kanë rënë gjethet e saj të dendura, i ofron kalimtarit një instalacion apo performancë të realizuar nga një homo plasticus & qelbanicus: në degët e saj të zhveshura varen, gatigati sfiduese, disa qese plastike të mbushura me plehra; kur nuk fryn erë e degët në fjalë nuk lëkundën, kemi një instalacion hijerëndë, ndërsa kur fryn erë dhe degët vallëzojnë trishtueshëm, kemi një performancë perverse.

Sigurisht, logjika më e thjeshtë e kërkon që përgjegjësia apo faji për këtë ekspozitë sa të padurueshme aq edhe mjerane, t’u bjerë banorëve të pallatit ngjitur me oborrin e shtëpisë, të cilët, me shumë gjasë, i kanë hedhur parashutat e tyre të qelbura Made in Qelbanix nga dritarja apo nga ballkoni, kurse banorët e shtëpisë në fjalë nuk mund të akuzohen për këtë ndotje, sepse askush nuk mund t’i përfytyrojë ata duke u kacavjerrë nëpër degët e pemës në fjalë për të varur atje qeset e tyre me plehra, aq më pak mund të imagjinohen ata duke dalë nga shtëpia e duke hipur në katin e sipërm të pallatit në fjalë për t’i hedhur qeset e ndyra atje ku ato prehen, kur nuk fryn erë, ose vallëzojnë, kur fryn, me synim realizimin e instalacionit apo të performancës në fjalë.

Gjithashtu, askujt nuk mund t’ia marrë mendja se ndonjë armik i jashtëm apo ndonjë keqdashës me shtetësi të huaj (nacionalist serb? Shovinist grek? Komunist koreanoverior? Terrorist i Al Kaedës?), vjen natën me helikopter dhe i ngec plehrat në degët e pemës që bota mbarë të mendojë që ne, shqiptarët, jemi të padenjë për t’u konsideruar si njerëz të qytetëruar; madje as ndonjë militant i paepur e i pakushtëzuar i partive të djathta shqiptare nuk do të mendonte kurrë se instalacioni apo performanca në fjalë është vepër e ndonjë militanti të paepur e të pakushtëzuar të partive të majta apo të ndonjë fansi të zotit Edi Rama për të diskredituar qeverinë tonë të sotme në mënyrë që të pengojë marrjen e statusit, nga ana e Shqipërisë, të vendit kandidat për t’u pranuar në Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, unë nuk gjykoj se u takon vetëm strukturave të Bashkisë së Tiranës të merren me instalacione apo performanca të tilla në mbarë kryeqytetin, sepse jam i sigurt që krijime të tilla avanguardiste ka edhe në qytete të tjera të tjera të mëdha. A e përfytyroni ju, lexues të ndershëm e të pastër të kësaj rubrike, ju që doni dhe ëndërroni një Tiranë të denjë e të krahasueshme me kryeqytetet e vendeve të tjera të Europës, a e përfytyroni, pra, ju, zotin Lulzim Basha duke u kacavjerrë nëpër degët e pemës në fjalë për të asgjësuar instalacionin apo performancën famëkeqe?

Për t’i dhënë fund kësaj përsiatjeje ndoshta më tepër fantaziste sesa duhet, jam i mendimi që nëse turma me etiketën homo plasticus & qelbanicus ka vendosur ta plastifikojë e ta qelbë(zojë) Tiranën tonë, Tiranën tënde, o lexues, Tiranën time të lënduar, jo Bashkia e Tiranës, por as trupat e NATOs e ato të OKB-së, po të vinin këtu për të mbrojtur mjedisin shqiptar, nuk do të arrinin dot ta mbanin pastër atë edhe sikur të bënin ditë e natë roje me mjetet më moderne rrëzë çdo peme, poshtë çdo ballkoni, para çdo dritareje e prapa çdo dere të gjallesave që i përkasin, me ose pa vetëdije, turmës në fjalë, madje deri edhe brenda në shtëpitë e tyre, përfshirë edhe nevojtoret

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama