Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Panairi i pavarësive

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Panairi i pavarësive

Përherë shkoj me kënaqësi, edhe kur nuk kam ndër mend të blej ndonjë gjë, në çdo lloj panairi që organizohet diku nga dikush në Shqipëri. Kjo lloj kënaqësie lidhet me kujtimet e mia të hershme kur, ende fëmijë, panairi më dukej si një festë; më vonë, nga leximet që bëja dhe, sidomos, nga qëndrimi disavjeçar si student në Francë, koncepti im i panairit si festë erdhi e u përforcua, sepse atje, përveç ekspozimit dhe shitjes së mallrave, pashë akrobatë, klounë e këngëtarë të ardhur për të zbavitur publikun, pa harruar stendat ku bëje qitje me “pushkë”, ku gjuaje me topa kauçuku ose hidhje rrathë kauçuku për të fituar, me shumë shkathtësi e me pak fat, objekte të vogla të përdorimit të përditshëm.

Këtë përshtypje panairi mbarëkombëtar po përjetoj këto ditë, fill pas Panairit të Librit, në kryeqytetin tim të veshur kuqezi me rastin e përvjetorit të njëqindtë të shpalljes së pavarësisë. Atmosfera festive ndihet kudo: në rrugë e në sheshe, në institucione publike e private, nëpër familje e kudo gjetiu. Me të drejtë: pavarësia e Shqipërisë u ka qëndruar për njëqind vjet stuhive politike e luftërave të egra, si jashtë edhe brenda llojit, dhe, falë kësaj pavarësie, ne mbijetuam si popull. Për këtë arsye ngazëllej edhe unë, mbushem me një hare krejt të natyrshme, nganjëherë thuajse naive, si të isha një fëmijë shend e verë. Prandaj m’u kujtua panairi i parë që kam vizituar në jetën time këtu e gati gjashtëdhjetë vjet të shkuara, si edhe panairet që kam vizituar më vonë brenda e jashtë vendit.

Ndoshta lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm do t’i ketë bërë përshtypje titulli i këtij shkrimi, sidomos fjala “pavarësi” në shumës. E siguroj atë që ky shumës nuk është aspak fryt i rastësisë. Po shpjegohem:

Përveç 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë këto kohët e fundit, prej dy dekadash të ngjeshura me ngjarje të mëdha e të vogla, flitet e shkruhet te ne, pa kurrfarë kursimi, për lloj-lloj pavarësish, të cilat, fatkeqësisht, ende nuk janë bërë plotësisht realitet.

Kështu, p.sh., sistemi ynë gjyqësor akuzohet për mungesë pavarësie jo vetëm përballë ndërhyrjeve apo trysnive të pushtetit qendror apo lokal, nga maja te baza e tyre, por edhe përballë përçapjeve të nëndheshme të njerëzve me ndikim e me para të madhe, të quajtur ndryshe të fuqishmit e epokës sonë. E njëjta gjë pretendohet edhe për shkencën shqiptare dhe institucionet e saj, pa harruar, njëkohësisht se pavarësia ose, më saktë, autonomia e arsyeshme dhe e arsyetuar e universiteteve publike ende lë për të dëshiruar.

Nga ana tjetër, jo vetëm konsumatorët, por edhe vetë aktorët e mediave vënë herë pas here në dyshim ekzistencën e pavarësisë së mediave përkundrejt politikës dhe biznesit të fuqishëm. Së fundi, por jo më së paku, ndërsa flitet bujshëm për liri mendimi apo liri shprehjeje, e vërteta është se rrallëherë vërejmë pavarësi të plotë të fjalës si në shkallë debatesh madhore, ashtu edhe në jetën e përditshme, ku shumëkujt i mungon guximi intelektual, madje edhe ai thjesht qytetar për t’i thënë gjërat hapur, aty ku punon e jeton, duke diskutuar me të afërm, miq, kolegë, shefa të vegjël e eprorë të rëndësishëm etj., etj.

Në këtë kuadër, dy janë pyetjet që po i bëj vetes këto ditët e fundit, sigurisht, pa pasur aspak për qëllim të cenoj apo të prish atmosferën ngazëlluese të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë, rrugën drejt së cilës populli ynë e çau jo vetëm me shpatë në dorë, por edhe me mend në kokë e me dashuri në zemër: Mos vallë brezit tim, lexuesit bashkëmoshatar dhe mua do të na duhet të presim gjatë që të ngadhënjejnë e të bëhen përfundimisht realitet edhe pavarësitë e përmendura në paragrafin e mësipërm? A do t’ia arrijmë asaj dite kur të vizitojmë më në fund panairin e pavarësive pa u trembur se mos (larg qoftë!) i vetmi panair festiv që do të na mbetet të vizitojmë do të jetë ai i kotësive?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama