Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Samiu i harruar

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Baxhaku
Samiu i harruar

Shumë herë mjafton një rrëfenjë e thjeshtë për të kuptuar se si ishin e çfarë mendonin njerëzit në një periudhë të caktuar. Kështu mund të jetë edhe rasti i një historie të ndodhur në 1909, vetëm tre vjet para shpalljes së Pavarësisë. Një karvan udhëtarësh udhëtonte përmes Kolonjës. Atë vit përroi i Borovës ishte fryrë keq dhe udhëtarët e hutuar nuk mund të kalonin në va. U duhej të gjenin se s’bën një urë. Poshtë një strehe po qëndronte ulur një grup burrash që tymosnin në heshtje cigaret e tyre. Pyetjes së udhëtarëve se ku mund të gjenin një urë, në fillim nuk po i jepte përgjigje askush. Atëherë dikush prej nevojtarëve u kujtua të thërrasë: Ore bejlerë! A e dini gjë se ku është ura këtu në fshatin tuaj? Me të dëgjuar fjalën “bej”, vendasit u ngritën në këmbë dhe u shndërruan befas në ndihmësit më të zellshëm që ishin parë ndonjëherë. Me një fjalë, mjafton titulli apo ofiqi pa të tjerat vijnë vetë. Dhe ndodhte kështu në njërën prej krahinave më të zhvilluara e më të kulturuara të Shqipërisë së asaj kohe. Mund ta marrim lehtësisht me mend se çfarë mendonin gjetiu.

Shqipëria e Pavarësisë ishte një vend fort i ngatërruar. Fisnikëria, ajo që quhej rëndom, “oxhakët”, apo “dyert e mëdha” prej kohësh ishte e lidhur me njëmijë fije me pushtetin e Sulltanit. Për pjesën më të madhe të kësaj shtrese, “vatani” nuk ishte gjë tjetër veçse interesi vetjak, jeta e shkuar në lemonti, të ardhurat e sigurta dhe martesat e menduara për të ruajtur pronat. Poshtë tyre vinte një lloj aristokracie fshatare, bejlerët dhe agallarët, që në zotërimet e tyre ishin gati-gati zotër të vërtetë. Shumë shpesh qëllonte që këta bejlerë t’i ndihnin krahinës ku sundonin, por po aq shpesh qëllonte që të ishin arrogantë, makutë dhe injorantë. Poshtë këtyre shtresave vinte “mileti”, kryesisht fshatarë e barinj të pashkolluar që ishin pajtuar prej shekujsh me shprehjen fatale “Kështu e desh Allahu”. Shtresa e mesme, tregtarë, nëpunës, zanatçinj, mësues ishte fare e papërfillshme. Në fakt, duhej të ishte pikërisht ajo që të përbënte bërthamën e mbarë të kombit, sikurse ndodh në botën e qytetëruar. Por ne atë praktikisht nuk e kishim dhe mbase nuk e kemi akoma. Kjo përzierje e çuditshme orientalo-primitivo-folklorike bëri që shteti i parë shqiptar të ishte gati-gati i pakuptimtë. Në çdo krahinë zotëronte beu i vjetër. Ai vendoste përkatësinë partiake, rangun e pasurisë a të varfërisë, madje edhe vetë krushqitë. Deri vonë, sa pa u forcuar pushteti i Ahmet Zogut, njerëzia kalonin nga një krahinë në tjetrën njësoj si kalohet sot nga shteti në shtet. Mbase pikërisht prandaj Ismail Qemali pat hedhur asokohe idenë e kantonizimit të Shqipërisë. Është thënë se ai donte të imitonte Zvicrën me jetën e saj të qetë e të begatë. Ka mundësi që kjo hamendje të mos jetë e vërtetë. Ismail beu e dinte se Shqipëria e atëhershme nuk mund të bëhej një nëse nuk pranohej realiteti i kohës.

Sot, në Shqipërinë e veshur kuqezi, diskutohet me mbase të drejtë jo Syrja Beu, apo Ismail Beu, flamuri i Marigosë apo i Aladro Kastriotit, ora e shpalljes, alla turka apo alla frënga, të gjitha gjëra fort të vyera e kurioze, të cilat në këtë 100-vjetor marrin kuptim të veçantë, por mbase do të kishte qenë e mundur që të flisnim pak më gjatë, përtej lavdisë së përulur, mbi atë çka na ka mbetur për keq nga ajo Shqipëria e hallakatur e asaj kohe. Ne, shqiptarët e mijëvjeçarit të tretë, a kemi mundur të realizojmë qoftë edhe sadopak ëndrrat, shpresat, planet e atyre që i quajmë rilindës? Apo jemi vazhdë e atyre fshatarëve që të përgjigjeshin vetëm po t’i thërrisnje bejlerë?

“Bibla”, manifesti më i rëndësishëm i lëvizjes kombëtare për Pavarësi konsiderohet “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhetë. Mendime për çpëtim të mëmëdheut nga rreziket që e kanë rrethuarë”. Sami Frashëri këtë libër e botoi pa emër në Bukuresht më 1899. Ishte i plakur dhe i lodhur, kishte 30 vjet që shkruante. Ai ëndërronte një Shqipëri europiane ku të sundonte dija dhe zejet, drejtësia, demokracia, vlerësimi për individin.

Sami Frashëri ëndërronte që shqiptarët të ishin kurdoherë të bashkuar. Jo se duhet të ishin një armatë që mendonte njësoj, por të ishin bashkë për gjërat më të rëndësishme të kombit. Pa shikoni pak sot se si po kremtohet Pavarësia. Ca në Vlorë e ca në Tiranë duke e parë vëngër njëri-tjetrin. Samiu këtë punën e unitetit e përmend edhe kur bën fjalë për besimet fetare. Për fat komunitetet fetare kanë punuar më mbarë se sa politika. Porse ajo që kërkonte Samiu, vënia e interesit të përbashkët kombëtar mbi gjithçka vështirë të thuhet se është arritur. Në Tiranë, lufta për pushtet u ka errur sytë shumë njerëzve, ndër fshatra e komuna janë rishfaqur “bejlerët” e rinj që bëjnë si t’u dojë qejfi me çifligun e tyre. Sami Frashëri kishte besim se do të vinte dita që në Shqipëri, vetë populli të zgjidhte drejtuesit e tij me zgjedhje që sot i quajnë “të drejta dhe të ndershme”. Sot, edhe sikur ta zëmë se nuk ka vjedhje votash, vetë ligji elektoral cakton në krye të pushtetit njerëz që emërohen nga partitë, e vetmja meritë e të cilëve është besnikëria ndaj “pashait” të ri. Ëndrra e Sami Frashërit ishte Shqipëria nën mbretërinë e dijes dhe zejeve. Është tashmë thuajse proverbiale ëndrra e tij për një universitet shqiptar. Sot dija ka nisur të prishë punë, kemi shkolla që prodhojnë vetëm avokatë dhe nëpunës bankash dhe asgjë më shumë. Zanatçinjtë, nëpunësit, mësuesit, shtresa e mesme vazhdon të jetë e nëpërkëmbur dhe e frikësuar gjithnjë me frikën e ndryshimit të pushteteve që ia zhvasin bukën e gojës sipas dëshirës.

Samiu ishte ëndërrimtar dhe idealist. Në librin e tij optimizmi ishte gat-gati pa fre. Me sa duket e dinte se Shqipëria e tij do të ishte vendi më i vonuar në Europën e shekullit XX, e andaj me anë të idealizmit iluminist u mundua që të shkundte pak nga gjumi i gjatë bashkatdhetarët e tij të tulatur prej shekujsh. Porse ai nuk mund ta merrte me mend se përgjumja dhe vonesa do të vazhdonin kaq gjatë deri në ditët tona.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama