18 Tetor 2025

Kreu i operacioneve humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, vizitoi sot qytetin e Gazës, duke theksuar se organizatat ndërkombëtare humanitare përballen me një detyrë gjigante për të rikthyer shërbimet bazë dhe sigurimin e ushqimit për civilët në enklavën palestineze të rrënuar nga lufta.

Fletcher është zyrtari i parë i nivelit të lartë nga Kombet e Bashkuara që hyn në Rripin e Gazës pas ndalimit të luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit më 10 tetor, kur hyri në fuqi marrëveshja për armëpushim. Ai mbërriti në qytet me një autokolonë të bardhë të OKB-së dhe vizitoi lagjen Sheik Raduan, ku inspektoi një impiant të përpunimit të ujërave të zeza.

“Isha këtu para 7 ose 8 muajsh. Shumica e ndërtesave ishin ende në këmbë. Është tronditëse të shohësh që një pjesë e madhe e qytetit është kthyer në një peizazh shkretëtire,” – tha Fletcher.

Një pjesë e konsiderueshme e Gazës është shkatërruar nga ofensiva ushtarake izraelite, si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Ushtria izraelite vijon të mbajë nën kontroll të rreptë kufijtë e enklavës, duke kufizuar hyrjen e ndihmave humanitare.

Armëpushimi, i ndërtuar mbi një plan të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, parashikon lehtësimin e hyrjes së ndihmave jetike për popullsinë civile.

“Kemi përpara një plan masiv 60-ditor për të rritur furnizimin me ushqime, për të shpërndarë një milion vakte në ditë, për të nisur rindërtimin e sektorit shëndetësor, për të ngritur tenda për dimër dhe për të rikthyer qindra mijëra fëmijë në shkollë,” – deklaroi zyrtari i OKB-së.

Fletcher, i cili hyri në Rripin e Gazës ditën e premte, tha se Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare e OKB-së (OCHA) ka përpara një sfidë të jashtëzakonshme.

“Na pret një punë gjigante… por ua kemi borxh njerëzve këtu, që kanë përjetuar vuajtje të papërshkrueshme. Duhet bërë një punë e jashtëzakonshme,” – u shpreh ai.

Organizatat humanitare ndërkombëtare kanë bërë thirrje për hapjen e plotë të të gjitha pikave kufitare të Gazës, përfshirë edhe atë të Rafahut që e lidh enklavën me Egjiptin, një nyje kritike për hyrjen e ndihmave