17 Tetor 2026

Përshkallëzimi i protestave studentore në Shqipëri ka sjellë reagimin e kongresmenit republikan amerikan Joe Wilson, i cili i ka bërë thirrje qeverisë të mos përdorë dhunë ndaj protestuesve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Wilson shprehet i shqetësuar për krizën në Shqipëri, ndërsa thekson se qytetarët meritojnë liri, shtet të së drejtës dhe përgjegjshmëri institucionale.

Ai nënvizon veçanërisht të drejtën e të rinjve për t’u dëgjuar dhe për të ndikuar në të ardhmen e vendit të tyre.

“Populli shqiptar meriton liri, shtet të së drejtës dhe përgjegjshmëri institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, shkruan Wilson.

Reagimi vjen në ditën e pestë të protestave, ku studentët dhe qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.