Zjarret ‘përpijnë’ pyjet me pisha e gështenja në Gramsh e Seman! Në Rubik riaktivizohet vatra, ne Shkoder …

Zjarret përfshijnë të tjera sipërfaqe me pyje në vend. Këtë të diel një sipërfaqe pylli me pisha ka marrë flakë në Seman të Fierit në vendin e quajtur Godull por edhe në Seman.Vatra e zjarrit është aktivizuar edhe në fshatin Molung në Grykën e Qafë Thanës në Rubik ku po digjen sipërfaqet me Lis, Shkozë dhe gështenja.

Zjarret përfshijnë të tjera sipërfaqe me pyje në vend. Këtë të diel një sipërfaqe pylli me pisha ka marrë flakë në Seman të Fierit në vendin e quajtur Godull. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse por vështirësohet mbajtja nën kontroll e flakëve për shkak të pranisë së madhe të shkurreve dhe ferrave që ndizen menjwrë edhe prej temperaturave të larta.

Në Gramsh në fshatin Siman, Mali i Koshicës është përfshirë nga zjarri, ku po digjen sipërfaqe me pisha. Zona është e vështirë e malore pengon ndërhyrjen e automjeteve të zjarrfikëses dhe e vetmja zgjidhje është ajo e ndërhyrjes në terren me mjete rrethanore.

Vatra e zjarrit është aktivizuar sërish edhe në fshatin Molung në Grykën e Qafë Thanës, mbi fshatin Katund i Vjetër në Rubik, ku një sipërfaqe e madhe me lis, shkozë dhe gështenja janë ‘përpirë’ nga flakët.

Të favorizuara nga era e fortë dhe terreni i vështirë, kjo vatër zjarri ka marrë sërish përmasa të frikshme duke djegur një sipërfaqes të madhe pyjore dhe po i afrohet banesave, ku një prej tyre ndodhet vetëm 300 metra larg nga flakët.

Nëse nuk bëhet ndërhyrja e shpejtë nga ajri dhe toka, dëmet e zjarrit do të jenë të pallogaritshme, duke rrezikuar edhe shtëpitë e banorëve.

Disa ditë më parë zjarri u vu nën kontroll dhe ishte drejt shuarjes , por duket se një vatër e vogël e mbetur është riaktivizuar sërish duke djegur sipërfaqe të mëdha pyjore.

Disa ditë më parë u dogjën me dhjetëra hektarë pyje nga Lezhë në Rubik duke lënë pas qindra kafshë e shpendë të ngordhur si dhe dhjetëra hektarë pyje të djegura.

 Herën e fundit u deshëm më shumë se 3 orë ndërhyrje nga ajri i Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes për të vënë në kontroll flakët në pyllin e Molungut në Rublik, Mirditë. Vatra duket se është riaktivizuar dhe se terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrjen e zjarrfikëses.

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Aktivizohen disa vatra zjarri në Shkodër, autoritetet kërkojnë ndërhyrje nga ajri dhe resurse njerëzore e logjistike

Edhe në Qarkun e Shkodrës janë aktivizuar disa vatra zjarri, konkretisht në kënetën e Domnit, majën e Zezë mbi Rrjoll dhe zonën e Pulajt, në Vaun e Dejës dhe në Qaf Qerret.

Situata e vatrës së zjarrit në Malin Kolaj në Rrjoll ka 4 ditë që vijon, ku terreni i thyer malor dhe era e fortë e bëjnë të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikësve si dhe ndihmojnë në përhapjen e flakëve. Forcat zjarrfikëse janë në gatishmëri për të shmangur afrimin e flakëve në zonat e banuara.

Një tjetër vatër zjarri është përhapur në Qerret Velipojë, ku janë dërguar dy mjete me 6 efektivë për të shmangur afrimin e flakëve drejt banesave dhe kishës së fshatit. Vijon puna për vënien në kontroll të tyre dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

Edhe në Bashkinë Vau Dejës është riaktivizuar përsëri zjarri në qytet afër një restoranti dhe po punohet për shuarjen e tij.

Në vendin e quajtur Qaf Qerreti është aktivizuar një vatër zjarri që ka marrë përmasa të papërballueshme duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pylli pishe. Bashkia Pukë po kërkon mbështetje dhe ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarrit, pasi nga terreni është e pamundur. Aktualisht është djegur 20 ha pyll pishe, ndërsa janë angazhuar 3 zjarrfikëse dhe vullnetarë dhe personel nga sektori pyjor.

Aktivizimi i disa vatrave të zjarri njëkohësisht dhe terreni i vështirë ka bërë që autoritete në Shkodër të kërkojnë ndihmë në resurse njerëzore dhe logjistike, vrojtues dhe vullnetarë, pasi situata nuk përballohet vetëm nga forcat zjarrfikëse.

Gazeta Shqiptarja.com