Zhdukja e verës miliona euro nga kantina e Ergys Agasit, Shehaj: – Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku!

21 Dgjetor 2025
Kryetari i Partisë “Mundësia” dhe deputeti Agron Shehaj, ka denoncuar publikisht një rast, që sipas tij, dëshmon bashkëpunimin e hapur mes krimit të organizuar dhe institucioneve shtetërore, lidhur me zhdukjen e verës miliona euro nga kantina e Ergys Agasit.
Sipas Shehajt, disa ditë më parë prokuroria ka ushtruar kontroll në vilën e Ergys Agasit, ku në kantinë është konstatuar një koleksion verash me vlerë të paktën 3 milionë euro. Prokuroria ka komunikuar menjëherë me doganat, duke kërkuar sekuestrimin e mallit.
Por, sipas tij, doganat i kthejnë përgjigje prokurorisë dhe i thonë: “Sot është shumë vonë, tani është shumë vonë, është natë. Do të shkojmë nesër në mëngjes.”
Ai theksoi se gjatë natës, sipas informacioneve, janë njoftuar të afërmit e Ergys Agasit, të cilët kanë shkuar në kantinë, kanë marrë verërat, kanë prishur provat dhe kamerat e sigurisë dhe janë larguar. Të nesërmen, doganat janë paraqitur në vendngjarje dhe kanë deklaruar se nuk ka më mall për t’u sekuestruar.
“Kjo është arsyeja pse SPAK-u kërkon arrestimin e të akuzuarve. Por nëse ky është një tregues i qartë i bashkëpunimit midis krimit të organizuar dhe shtetit”, deklaroi Shehaj, ndërsa shton se “imagjinoni sesi prishen provat nga drejtorat e KESH-it, OSHEE-së apo të AKSH-it, të cilët pavarësisht se SPAK-u i ka marrë në hetim”.
Shehaj akuzoi kryeministrin Rama se po mbron zyrtarë të lartë të dyshuar për korrupsion, përfshirë edhe zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestim.
“Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku, për të cilën po ashtu SPAK-u ka kërkuar arrestin e saj, por Edi Rama e ka marrë në mbrojtje. Kjo po ndodh në Shqipëri! I gjithë shteti është vendosur në mbrojtje të të korruptuarve dhe të kriminelave dhe kundër SPAK-ut. Rama vazhdon duke i sulmuar”, shprehet ai.
