Zbulohet piktura e Picassos me arrestimin e ndërtimtarit që u përfshi në grabitje arti

Dy pikturat që janë shpalosur nga policia të martën – “Koka e Gruas” e Picassos (majtas) dhe një vepër tjetër e artistit holandez, Piet Mondrian – ishin grabitur gjatë një sulmi më 2012 në Galerinë Kombëtare në Athinë (Foto: EPA)

Një pikturë e Pablo Picassos që ishte vjedhur nëntë vjet më parë gjatë një grabitjeje në galerinë greke është rikthyer. Policia thotë se një ndërtimtar 49-vjeçar është arrestuar për vjedhje të “Kokës së Gruas” të Picassos dhe të një vepre tjetër të artistit holandez Piet Mondrian.

Fillimisht për sulmin në Galerinë Kombëtare të Athinës më 2012 ishin fajësuar dy hajdutë. Veprat artistike ishin shqitur prej kornizave të tyre në grabitjen në orët e hershme të mëngjesit, për të cilën u deshën vetëm shtatë minuta që të kryhej.

Një vepër e tretë me penë dhe bojë nga artisti italian, Guglielmo Caccia, nga shekulli i 16-të, ishte rrëmbyer po ashtu, porse policia kishte thënë që sipas të dyshuarit ajo ishte dëmtuar dhe e kishte lënë në guaskën e tualetit.

“E pamundur të shiten”

Policia fillimisht ka bërë me dije se piktura e Picassos dhe vepra e Mondrianit nga viti 1905 “Stammer Windmill” janë rikthyer të hënën vonë, teksa kanë dhënë hollësi të mëtejshme gjatë ditës tjetër.

Para do kohësh ata besonin që Picasso nuk ishte larguar nga Greqia.

Ministrja e Kulturës, Lina Mendoni, u ka thënë gazetarëve se vepra artistike do të ishte “e pamundur të shitej apo të shfaqej” për shkak se kishte një mbishkrim personal nga piktori spanjoll në anën e prapme dhe shkruante në frëngjisht “Për popullin grek, një tribut nga Picasso”.

Ai ia kishte dhënë atë Galerisë Kombëtare në Athinë për nder të qëndresës greke ndaj Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vepra kubiste, e pikturuar më 1939 është një nga portretet e partneres së Picassos, Dora Maar.

Muaj planifikimesh

Gjatë konferencës për shtyp të martën, policia ka deklaruar se i dyshuari 49-vjeçar ka pranuar vjedhjen dhe ka shpjeguar se si e kishte planifikuar rrëmbimin gjashtë muaj më herët.

Thuajse çdo ditë ai do të mbikëqyrte lëvizjet e rojave të sigurisë dhe stafit tjetër, duke shënuar kohën kur ata dilnin në pushim për të pirë duhan. Më 9 janar 2012, i dyshuari vuri një alarm fals në një pjesë tjetër të ndërtesës dhe hyri në katin përdhes të muzeut, ka shpjeguar policia.

Asokohe, Ministria e Brendshme i dënoi masat e sigurisë si “joekzistente”, me alarme të prishura dhe disa hapësira të ngrehinës të pambuluara nga kamerat e sigurisë. Brenda pak minutash katër vepra u morën, ani pse një tjetër pikturë e Mondrianit u hodh në tokë gjatë ikjes.

Policia ka thënë se ndërtimtari, i përshkruar si dekorues, i kishte fshehur pikturat në shtëpinë e vet për katër vjet dhe se nuk kishte qëllim që t’i shiste ato. Së fundmi, megjithatë, ai i largoi ato, i vuri në mbështjellës plastik, duke i lënë në një shtrat lumi në Keratea, jashtë Athinës, ku ato u gjetën në gjendje mjaft të mirë.

Sistemi i sigurisë në muze që prej asaj kohe është përmirësuar dhe Qeveria greke e ka përgëzuar rikthimin e pikturave si “sukses madhor”.

Ministrja e Kulturës ka thënë se “më e madhja plagë e Galerisë Kombëtare është shëruar”, përderisa drejtoresha e saj, Marina Lambraki-Plaka, ka thënë për mediat greke se kjo ishte si një ringjallje.

Përktheu: Salih Mehmeti