Zbulohen mijëra gjurmë dinozaurësh në një mal në Itali

23 Dhjetor 2025
Mijëra gjurmë dinozaurësh, që datojnë rreth 210 milionë vjet më parë, janë zbuluar në një park kombëtar në veri të Italisë, duke u cilësuar nga ekspertët si një nga zbulimet më të rëndësishme paleontologjike të viteve të fundit. Gjurmët, disa prej të cilave arrijnë deri në 40 centimetra në diametër, janë të renditura në vija paralele dhe ruajnë qartë shenjat e gishtërinjve dhe thonjve. Sipas studiuesve, ato i përkasin prosauropodëve, dinozaurë barngrënës me qafë të gjatë, kokë të vogël dhe kthetra të mprehta.
“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që do të përballesha me një zbulim kaq spektakolar në zonën ku jetoj”, u shpreh paleontologu me bazë në Milano, Cristiano Dal Sasso.

Gjurmët u vunë re për herë të parë në shtator të vitit të kaluar nga fotografi Elio Della Ferrera, i cili i dalloi ato të shtrira për qindra metra në një faqe vertikale mali brenda Parkut Kombëtar Stelvio, në verilindje të Milanos. Gjatë periudhës Triasike, mes 250 dhe 201 milionë vjet më parë, zona ku ndodhen gjurmët ishte një fushë, e cila më vonë u shndërrua në pjesë të zinxhirit Alpin. Sipas Dal Sasso-s, territori ishte i mbushur me dinozaurë dhe përbën një “thesar shkencor të jashtëzakonshëm”.
Ai shtoi se gjurmët tregojnë se tufat lëviznin në harmoni, ndërsa janë identifikuar edhe shenja të sjelljeve më komplekse, si grumbullime në formë rrethi, që mund të kenë shërbyer për mbrojtje.

Prosauropodët, që mund të arrinin deri në 10 metra gjatësi, zakonisht ecnin mbi dy këmbë. Megjithatë, në disa raste janë gjetur edhe gjurmë të gjymtyrëve të përparme, çka sugjeron se kafshët ndaleshin dhe mbështesnin duart në tokë për të pushuar.
Fotografi Della Ferrera tha se shpreson që ky zbulim të nxisë reflektim mbi sa pak dimë për vendet ku jetojmë dhe për vetë planetin tonë. Sipas Ministrisë Italiane të Kulturës, zona ku ndodhen gjurmët është e thellë dhe e vështirë për t’u arritur, ndaj studimet do të kryhen përmes dronëve dhe teknologjive të monitorimit në distancë.
Parku Kombëtar Stelvio ndodhet në luginën Fraele, pranë kufirit me Zvicrën, në një zonë ku vitin e ardhshëm do të zhvillohen edhe Lojërat Olimpike Dimërore. Ministria e Kulturës e cilësoi zbulimin si një “simbolikë unike” që ndërthur të shkuarën me të tashmen.
