Zbardhet raporti i DASH, brenda 2019 SPAK nis goditjet në nivele të larta, SHBA sjell ekspertë dhe jep 6.4 mln USD fonde për zbatimin e reformës. –

Gjatë vitit 2019 Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do jenë gati dhe do nisin goditjet në nivele të larta. Edhe pse politika e ka zvarritur ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, amerikanët do të hyjnë tani në lojë për të ngritur sa më shpejt SPAK, BKH, KLGJ, KLP dhe organet e tjera. Një gjë e tillë është bërë e ditur në një raport të DASH. Bëhet fjalë për një raport i cili paraqet programin e asistencës së SHBA për vitin 2019, në të cilin përcaktohen fondet që do jepen për secilin shtet në vitin që vjen dhe mbështetja teknike që do i shoqërojë. Sa i takon vendit tonë, Uashingtoni do të akordojë rreth 6.4 milionë dollarë dhe ato do të shkojnë në fusha të ndryshme, ku më kryesoret janë reforma në drejtësi dhe lufta ndaj terrorizmit. BE pak ditë më parë e vendosi kusht ngritjen e organeve antikorrupsion dhe tashmë në lojë kanë hyrë dhe amerikanët. Tani është e sigurt se në fillim të 2019, SPAK është gati dhe ministra, ish-ministra, deputetë apo gjyqtarë e prokurorë, do kalojnë të gjithë në sitë. “SHBA do të mbështesë zbatimin e reformës historike në drejtësi të miratuar në korrik 2016 dhe do të forcojnë kapacitetet operacionale e menaxhuese të zbatimit të ligjit. Programet do të mbështesin zyrën e prokurorisë anti-korrupsion (SPAK) dhe do rrisin efektivitetin e prokurorëve, hetuesve dhe gjykatësve, për të dalluar, hetuar dhe ndjekur korrupsionin në nivelet e larta. Trajnimet e specializuara dhe përkujdesja në kryerjen e funksioneve do të mbështesin krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për forcimin e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe do të përmirësojnë menaxhimet, politikat dhe reformat institucionale në sektorin e ligjit dhe të drejtësisë”, thuhet në raport. Më tej theksohet se SHBA përmes fondeve dhe ekspertëve të saj do të ndihmojë Ministrinë e Brendshme dhe Shkollën e Magjistraturës. Një fokus të veçantë do ketë dhe lufta antitrafik. “Programi synon bashkëpunim me policinë shqiptare dhe Ministrinë e Brendshme për hartimin dhe zbatimin e strategjive dhe politikave të mesme e afatgjata. Përpjekjet do të ndihmojnë në përmirësimin e kapaciteteve në fusha kyçe që mbështesin drejtpërdrejt objektivat e sigurisë së SHBA për krimin e organizuar, korrupsionin e terrorizimin. Asistenca do të forcojë sigurinë kufitare e detar, në luftën kundër trafiku të mallrave e njerëzve, si dhe në reduktimin e kërcënimeve terroriste. Fondet do të përmirësojnë Shkollën e Magjistraturës në arsimimin e gjykatësve dhe prokurorëve për obligimet e tyre sipas ndryshimeve të reja ligjore”, thekson më tej raporti.

Lufta ndaj terrorizmit

Një rëndësi shumë të madhe SHBA do i kushtojë luftës ndaj terrorizmit. Dihet që vendi ynë hyn mes shteteve të cilat kanë dërguar ushtarë krah ISIS dhe për këtë arsye amerikanët kanë rritur fondet dhe asistencën. “Asistenca e SHBA do të mbështesë përpjekjet e qeverisë shqiptare për parandalimin e radikalizmit të qytetarëve dhe rekrutimit si luftëtarë në Irak e Siri si dhe të reagojë ndaj kërcënimeve të luftëtarëve të rikthyer nga fushëbetejat. Programet do të mbështesin aktivitete e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm bazuar në provat, duke penguar rekrutimin dhe radikalizmin e individëve në komunitete specifike të dobëta ose të pambrojtura. Fondet do të aftësojnë qeverinë e SHBA të mbështesë iniciativat e qeverisë shqiptare, siç janë ato të qendrave komunitare me bazë shkollash, në komunitete të varfra për të trajtuar neglizhencën ndaj politikës dhe duke angazhuar të rinjtë në trajnime civile”, thuhet në dokument.

Mbështetja ushtarake

Edhe ushtria është një tjetër sektor që amerikanët do të ofrojnë asistencë teknike dhe ushtarake. Sipas raportit, do të vijojë trajnimi i personelit ushtarak. “Aktivitete e këtij trajnimi do të njohin personelin ushtarak me doktrinën e stërvitjes së ushtrisë amerikane. Kurset dhe aktivitete e tij kanë si qëllim forcimin e kapaciteteve të fusha kyçe si promovimi i vlerave demokratike dhe krijimi i lidhjeve afatgjata mes zyrtarëve ushtarakë shqiptarë e amerikanë. Shumica e aktiviteteve do të kryhen në institucionet ushtarake të SHBA, duke nxitur dhe këmbimet kulturore gjatë kryerjes së kurseve”, thuhet në dokument./Kliti TOPALLI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/