Po l i t i k a d h e m e d i a shqiptare janë mbërthyer ditë e fundit nga debate sa i takon periudhës së regjimit komunist. Historiani Pëllumb Xhufi, në një media televizive dy ditë më parë bëri një deklaratë befasuese, pasi i cilësoi shumë të mira kushtet në Kampin e Përqendrimit në Tepelenë. Xhufi, argumentet e tij i bazonte në një dokument të deklasifikuar nga CIA. Por gazeta ka siguruar dokumentin e CIA, i cili flet për Kapin e Tepelenës dhe nxjerr të vërteta të tjera. Në dokument tregohen vuajtjet e personave që rrinin aty dhe nuk është aspak “hotel me 5 yje”, siç deklaroi Xhufi. Ndaj tij ka pasur një sërë reagimesh të ndryshme nga persona të fushës, duke rrëzuar pretendimet. Por gazeta po publikon më poshtë dokumentin e plotë të CIA, ku tregohet me detaje jeta në Kampin e Tepelenës. Dokumenti është i muajit maj 1953. Maj 1953 Kampi i përqendrimit i Tepelenës Në kampin e përqendrimit të Tepelenës ka rreth 1500 të burgosur, shumica dërmuese të afërm të personave të arratisur drejt Jugosllavisë. Përveç të burgosurve shqiptarë ka dhe disa jugosllavë që trajtohen ndryshe nga shqiptarët. Rreth 70 për qind të të burgosurve janë gra dhe fëmijë, ndërsa pjesë tjetër janë meshkujt aktivë të arrestuar për motive politike ose se janë të afërm të të arratisurve jashtë vendit. Të burgosurit në kamp vijnë nga e gjithë Shqipëria, por pjesë më e madhe vijnë nga provincat veriore. Kampi ndodhet rreth dy kilometra në veri të Tepelenës, pranë pikës ku lumi i Bënçës derdhet në lumin Vjosë. Kampi përbëhet nga ndërtesa të drunjta njëkatëshe. Ato zakonisht kanë katër dhoma me përmasa 5×20 metra. Brenda dhomave ka katër rreshta me krevate marinarësh të vendosur përgjatë dy mureve dhe dy rreshta të tjerë në mes të dhomës. Vetë ndërtesa është prej një materiali të fortë dhe ka pllaka nga sipër, por jo tavan. Të burgosurit jetojnë në këtë ndërtesë të grupuar sipas familjeve.

Në çdo dhomë jetojnë rreth 300 persona. Ndërtesa nuk ka izolim dhe as ngrohje prandaj gjatë dimrit kushtet e jetesës janë shumë të vështira. Përveç dhomave të fjetjes ka gjithashtu një ndërtesë zyrash ku qëndrojnë drejtori i burgut e asistentët e tij, si dhe dhomat e banimit të policëve. Ka gjithashtu një magazinë ku vendosen rezervat ushqimore të kampit dhe disa kafshë. Ka gjithashtu një ndërtesë të vogël mjekësore me katër dhoma që përdoret për vizitat e të sëmurëve dhe ka disa krevate. Struktura të tjera përfshijnë kuzhinën me dy dhomatë vogla, një për gatimin dhe një për depozitimin e ushqimit. Siguria Ruajtja e kampit bëhet me pesë policë, që janë në detyrë kryesisht gjatë natës dhe një gjatë ditës. Një nga të burgosurit qëndron roje gjatë gjithë kohës në barakat e të burgosurve. Në kampin e Tepelenës trajtimi raportohet të jetë jo aq i keq sa në kampet e tjera. Dënimet kryhen me anë të sharjeve verbale, veçanërisht për gratë dhe fëmijët, ndërsa të burgosurit e huaj marrin dënime më të rënda si izolim apo heqje ushqimi. Çdo i burgosur duhet të ketë çarçafët e tij pasi kampi nuk ka të tilla. Nuk është e pazakontë që të burgosur që nuk kanë batanije apo njerëz që t’u sjellin sende, flenë në krevat pas asnjë rrobë. Secili gjithashtu duhet të ketë veshjet dhe këpucët e veta, pasi shteti nuk jep zëvendësime të tilla. Prandaj shumica e të burgosurve janë të veshur me rrecka pasi rrobat dhe këpucët prishen shpejt gjatë punës së rëndë të detyruar. E vetmja gjë që shteti jep përveç ushqimit është një copë sapun në muaj. Nëse kanë njerëz që t’i ndihmojnë nga jashtë, të burgosurit mund të marrin para për të blerë ushqime shtesë apo furnizime të tjera në qytet. Ushqimi përgatitet nga vetë të burgosurit. Secili prej tyre mund të marrë 600 gram bukë në ditë. Ka çaj në mëngjes, ndërsa në drekë supë makaronash, fasulesh ose patate, dhe e njëjta dhe për darkë. Ushqimi gatuhet keq dhe në kushte papastërtie prandaj është i pashijshëm. Ushqimi është gjithashtu i pamjaftueshëm prandaj kur të burgosurit marrin racionin ditor të bukës në mëngjes nuk u mbetet më bukë për vaktet e tjera. Të burgosurit lejohen të marrin pako ushqimi nga të afërm nga jashtë pasi të inspektohen më parë nga policia. Ata që nuk kanë të afërm që t’i ndihmojnë janë në gjendje më të mjeruar. Ushqimi shërbehet në dhomën e ngrënies për individët dhe familjet. Gotat dhe mjetet e ngrënies duhet të sillen nga vetë të burgosurit. Disa perime dhe fruta që rriten në kopshtin e kampit përdoren nga policët dhe administrata, e nuk u jepen të burgosurve. Gjithashtu sasi të tjera ushqimi që vijnë nga jashtë si miell, fasule dhe makarona nuk magazinohen në kamp. Në kamp nuk ka indoktrinim politik të të burgosurve por ata duhet të marrin pjesë me detyrim në leximin e përditshëm të shtypit. Nuk ka filma apo aktivitete kulturore. Takimet Vizitorët lejohet të takojnë të burgosurit, por nuk lejohet të futen brenda kampit. Në takimet me vizitorët ka gjithmonë një polic prezent që dëgjon bisedën, por nuk ka kufizime kohore. Gjendja sanitare në kamp është shumë e keqe dhe shumica e të burgosurve janë të sëmurë me tuberkuloz, i cili përkeqësohet nga mungesa e ngrohjes, ushqimit dhe mjeteve sanitare. Të sëmurët më së shumti janë meshkujt e rritur dhe fëmijët. Fëmijët preken sepse nuk janë të fuqishëm dhe duhet të kryejnë punë të rëndë. Kujdesi shëndetësor në kamp është i keq, ndërsa një doktor nga Tepelena vjen këtu vetëm dy herë në muaj. Zakonisht ai i dërgon pacientët e sëmurë më rëndë në spitalin e Gjirokastrës ndërsa të tjerët trajtohen në kamp. Sëmundjet të cilat prekin më shumë të burgosurit janë malaria, e cila është kronike në shumë të burgosur dhe dizenteria e cila përhapet në mënyrë epidemike. Gjatë një epidemie të dizanterisë në vitin 1950, në kamp vdiqën rreth 100 të burgosur brenda tre muajvesa zgjati epidemia. Sëmundjet përkeqësohen nga fakti që nuk ka masa higjienike nga administrata dhe as ditë të caktuara për larjen e rrobave apo të trupit. Asnjë masë nuk merret kundër parazitëve e insekteve të shumta si pleshtat, tartabiqet, morrat që infektojnë dhomat dhe krevatet e të burgosurve. Kampi nuk ka fshesa dhe dhomat fshihen nganjëherë e degë pemësh, ndërsa dyshemetë lahen një herë në javë. Puna kryesore e të burgosurve është prerja e drurëve në malin mbi Tepelenë. Çdo i burgosur ka kuotën e tij të punës për të plotësuar, që është 1 metër kub dru për të prerë në ditë. Të tjerë të burgosur punojnë brenda kampit në ndërtimet e reja, ose dërgohen në vende të tjera pune si në hekurudha apo fabrika në qytete të tjera. Për shembull në nëntor 1950 një pjesë e të burgosurve u dërguan për të punuar në hekurudhën Elbasan-Peqin, ndërsa të tjerë shkuan në ndërtimin e një fabrike në Vlorë. Të gjithë të burgosurit fizikisht të aftë, burra dhe gra duhet të punojnë. Vetëm gratë e vjetra dhe fëmijët e vegjël dhe disa nëna të tyre lejohet të qëndrojnë në kamp. Zakonisht meshkujt më të shëndetshëm zgjidhen për të prerë dru, ndërsa gratë e kampit përdoren për të transportuar dru dhe për të bërë punë shtëpie.

Nuk ka një program të caktuar pune dhe puna kryhet nga agimi deri në perëndim të diellit, për gjashtë ditë të javës, nganjëherë dhe të dielave. Për të ngrenë drekën të burgosurit kanë një orë kohë dhe zakonisht marrin ushqimin në vendin e punës. Grupet e të burgosurve që punojnë janë zakonisht nga 20 deri në 100 njerëz. Prej tyre zgjidhet drejtuesi, i cili është përgjegjës për punën e të gjithë grupit. Përveç drejtuesit të grupit është dhe një polic që mbikëqyr grupin. Ndërsa puna e të burgosurve nuk mbikëqyret pasi secili ka kuotën e vet për të plotësuar. Grupet të cilave nuk u është caktuar një detyrë specifike, njoftohet për punën në mëngjes. Puna mund të ndryshojë herë pas here. Nëse një i burgosur ndjehet i sëmurë, ai raporton se administrata dhe kërkon një punë më të lehtë. Nëse është shumë sëmurë ai mund të lejohet të mos punojë, ndërsa ata që hiqen sikur janë sëmurë për t’iu shmangur punës dënohen rëndë. Herë pas herë jepen amnisti për të burgosurit, si në rastin e 29 nëntorit 1950 kur anëtar i Ministrisë së Brendshme erdhi në kamp dhe deklaroi se me rastin e festave të çlirimit të Shqipërisë, shoku Enver Hoxha vendosi që disa familje me fëmijë të kampit të lirohen. Të burgosurit e liruar u paralajmëruan se kur të kthehen në shtëpi “duhet të kujtojnë të respektojnë dhe zbatojnë urdhrat e autoriteteve, ndryshe d të rikthehen në kamp”.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/