22 Tetor 2022

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka folur dje për Kosovën.

Duke qenë se presioni mbi Serbinë rritet përditë për njohje, presidenti serb është nervozuar teksa ka përmendur shqiptarët.

“Nuk kërkojmë diçka nga ndokush, duam të jemi vetvetja, dhe Kosova është pjesë e Serbisë. S’do t’ju lejojmë të na e merrni Kosovën”, është shprehur Vuçiç, ndërkohë që mbështetësit brohorisnin “Vule (Vuçiç), mos e jep Kosovën”.

Presidenti serb ka vijuar më tej, duke thënë se gjuha e arsyeshme e Serbisë nuk do të thotë se është e dobët, pasi sipas tij, vendi është shumë herë më i fuqishëm se në vitet 1999 e 2012.

“Dua t’u tregoj diçka që ata e dinë shumë mirë – fakti që ne sillemi me përgjegjësi dhe flasim me seriozitet, nuk do të thotë se jemi të dobët. Sot, Serbia është shumë herë më e fuqishme në çdo aspekt se në vitin 1999 dhe 2012”, ka deklaruar ai.

Burrat serbë, Aleksandër Vuçiç i ka përshkruar si njerëz “që kur pinë pak raki, do të hynin në luftë me gjysmën e botës”.

Gazeta Dita