22 Tetor 2022.

Zhvillime të papritura nga lufta në Ukrainë. Së fundmi po jepen sinjale se presidenti i Rusisë Vladimir Putin po kërkon një marrëveshje me Ukrainën.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd J. Austin zhvilloi ditën e djeshme një bisedë telefonike me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu. Menjëherë pas kësaj telefonate ai kontaktoi ministrin ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov. “Më 21 tetor, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III foli me telefon me ministrin rus të Mbrojtjes Sergey Shoigu. Sekretari Austin theksoi rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit në mes të luftës së vazhdueshme kundër Ukrainës”, thuhet në njoftim. Shoigu dhe Austin folën për herë të fundit më 13 maj dhe sipas Ministrisë së Mbrojtjes, të dy ministrat “diskutuan çështje aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke përfshirë situatën në Ukrainë”. Por nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin nuk ka në plan të flasë me homologun e tij amerikan Joe Biden pas bisedimeve midis ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe sekretarit amerikan të mbrojtjes Lloyd Austin . Këtë lajm e konfirmoi Dmitry Peskov.

SHBA: Angazhim i palëkundur ndaj Ukrainës

Menjëherë pas telefonatës me Rusinë, Shtetet e Bashkuara premtojnë “angazhim të palëkundur” ndaj Ukrainës përballë agresionit rus. Sekretari i shtypit i Pentagonit, Pat Ryder, tha se sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin foli me ministrin ukrainas të mbrojtjes Oleksii Reznikov për të përsëritur “angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur aftësinë e Ukrainës për të kundërshtuar agresionin rus”. Sekretari Austin theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar në ndërtimin e forcës së qëndrueshme të Ukrainës dhe ruajtjen e aftësisë së saj për të mbrojtur veten në të ardhmen, siç tregohet nga angazhimet e asistencës së sigurisë të marra nga aleatët dhe partnerët në takimin e fundit të grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainë më 12 tetor.

Zhvillime të papritura

Edhe pse nuk do të ketë një takim mes Biden-Putin, pozicioni i Moskës për negociatat me Kievin nuk ka ndryshuar, Vladimir Putin është tashmë i hapur për negociata, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zbuloi dje një përpjekje të re ndërmjetësimi, me bisedime si me Putinin ashtu edhe me Volodimir Zelensky, dhe pretendoi se Presidenti rus ishte zbutur. “Ndoshta vetëm pozicioni i Ukrainës ka ndryshuar,” shtoi Peskov, duke kujtuar ligjin e ri të prezantuar në Kiev për të bllokuar negociatat me Putinin. Rexhep Tajip Erdogan parashikoi se së shpejti do të fliste në telefon me Vladimir Putin dhe Zelenskyn, njoftoi agjencia Ria Novosti. Presidenti rus “është shumë më i hapur për negociata me Kievin sesa në të kaluarën. Do të shohim se ku mund të çojë kjo përpjekje diplomatike”, shtoi Erdogan, duke folur para gazetarëve në kthimin e tij në Turqi nga Azerbajxhani.

Marrëveshje e re me grurin

Nga ana tjetër Erdogan e sheh në rënie mundësinë e rinovimit të marrëveshjes për eksportin e grurit nga Ukraina, që do të përfundojë muajin e ardhshëm. “Nuk ka asnjë pengesë për vazhdimin e marrëveshjes së eksportit. E kuptova këtë nga bisedimet që pata me Zelensky dhe gjithashtu nga bisedimet me Putinin”, u tha Erdogan gazetarëve. Udhëheqësi turk tha gjithashtu se mbi 8 milionë tonë drithëra dhe ushqime të tjera u eksportuan sipas marrëveshjes së nënshkruar në korrik me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Ankarasë. Turqia ka qenë në kontakt të ngushtë me Rusinë dhe Ukrainën që nga fillimi i luftës. Presidenti Erdogan vazhdimisht ka theksuar dëshirën e tij për t’i sjellë së bashku presidentët Putin dhe Zelenskyy në tryezën e bisedimeve në Turqi për t’i dhënë fund luftës. “Ne nuk jemi të pashpresë. Është shpresa jonë se do të vazhdojmë në rrugën e paqes duke sjellë së bashku të dy liderët”, shtoi ai.

Nga Elmas BOGDANI