4 Shkurt 2026

Një tjetër ndërhyrje në nëntokë e firmës zbatuese të projektit për shtrimin e tubacioneve të Ujësjellësit, “2T”, ka lënë pa energji elektrike të gjithë shëtitoren e Lungomares.

Gjatë punimeve të kryera në hyrje të shëtitores, një kabllo elektrike është këputur, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë në të gjithë zonën. Si pasojë, dhjetëra biznese janë detyruar të ndërpresin aktivitetin, ndërsa familjet që jetojnë në zonë kanë mbetur pa energji elektrike.

Ky është rasti i dytë brenda një kohe të shkurtër që firma e cila po shtron linjat e ujësjellësit, dëmton kabllot e korrentit duke lënë pa energji elektrike zona të caktuara.

2 T kompania e Artan Sakos, vëllait të kryetarit të bashkisë së Tepelenës, Gramoz Sako, është një lubi e fondeve publike. Në 5 vitet e fundit, kjo kompani ka përfituar të paktën 100 milionë euro pagesa të drejtëpërdrejta nga thesari i shtetit duke u konfirmuar si një nga peshkaqenët më të mëdhenj të buxhetit.

Kjo kompani për periudhën 2015–2018 ka përfituar rreth 4.5 milion euro nga buxheti i shtetit. Bumi i saj ekonomik ka ndodhur në periudhën 2019–2025 duke përfituar 9.9 miliardë lekë ose 99 milion euro pagesa nga thesari, pra siç shihet qartë biznesi i Artan dhe Gramoz Sakos ka lulëzuar me ardhjen e Belinda Ballukut në qeveri.