Shqipëria me rënie të fortë ekonomike

19 Mars 2026

Shqipëria është e çarmatosur përballë krizës së karburanteve, kurse qeveria bën shou me situatën duke mos i dalë përballë me qasjen e saj dhe zgjidhjet.

Kështu u shpreh sot në një lidhje me “News 24” kreu i “Konfindustrisë”, Gjergj Buxhuku, ku analizoi konfliktin në Lindjen e mesme dhe pasojat që i sjell Shqipërisë kriza e karburanteve.

Ai e cilësoi absurde edhe deklaratën e fundit të kryeministrit Edi Rama që u tha bizneseve që të mos fitonin, por pa ofruar një zgjidhje në rast të rritjes së çmimit të karburanteve në arenën ndërkombëtare.

Buxhuku theksoi se fitimi është thelbësor në funksionimin e tregut dhe se nuk mund t’u kërkohet bizneseve të heqin dorë nga ai. Sipas tij, qeveria duhet të ndërhyjë si rregullatorë e tregut për të gjitha palët e prekura.

“Një qeveri duhet të ndërhyjë përmes politikave dhe mekanizmave rregullatorë për të shmangur fitimet e tepërta në kohë krize, dhe jo përmes thirrjeve publike ndaj operatorëve privatë. Nuk mund të kërkohet nga bizneset që të mos fitojnë, kjo bie ndesh me vetë parimet e ekonomisë së tregut.

Buxhuku ngriti gjithashtu shqetësimin se Shqipëria është e papërgatitur për përballimin e krizave të tilla, duke shtuar se vendi duhej të kishte nxjerrë mësime nga pasojat ekonomike të lufta Rusi-Ukrainë dhe duhet të ishin marrë masa prej kohësh. Ai shtoi se të ardhurat shtesë të krijuara nga kriza duhet t’u kthehen qytetarëve, veçanërisht shtresave më të prekura si pensionistët, duke e konsideruar këtë si një detyrim ekonomik dhe moral të qeverisë.

“Shqipëria është e çarmatosur në përballjen e pasojave të një krize të rëndë që po ndodh në botë. Shqipëria nuk duhet të ishte krejtësisht e çarmatosur, por situata është kjo që është. Edhe ekonomikisht është e pranueshme që të lehtësohet pesha e krizës së karburanteve, por dhe e moralshme që ato para që janë grumbulluar si pasojë e krizës, t’i kthehet qytetarëve. Kryeministri bëri shou politik. Deklarata e Ramës ishte pranim në formën e tij të kërkesës tonë. Dhe ai e ka të qartë që këto janë para të krijuara nga kriza dhe ai thotë; do t’i shpërndaj për pensionistët. Ai tha që pranonte në mënyrën e tij se ka të ardhura shtesë që duhen shpërndarë për atë pjesë që është më e goditur, pensionistët”, u shpreh Buxhuku.

Dhe më tej komentoi mbi problematikën e situatës dhe se si duhet zgjidhur ajo. Ai kritikoi qasjen e qeverisë që i thotë bizneseve “mos fitoni”.

“Por kush është problemi? Problemi është; shtylla e parë; tallje e madhe për një vendimmarrje politike të përgjegjshme. Ulesh me tregtarët e karburanteve dhe t’u lutesh atyre që mos të fitojnë, ndërkohë që thelbi i ekonomisë së tregut është fitimi. Kryeministri me një mënyrë, që është tallje e madhe për inteligjencës, t’u kërkojë atyre që ata të heqin dorë nga ajo që çdo qenie që punon në ekonominë e tregut do të bënte; fitimin maksimal. Nuk mundet që qeveria e një vendi që t’u lutet bizneseve që; mos fitoni ju. Logjika për një qeveri normale është që nuk do të lejonte bizneset që mos të krijonin fitime të mëdha në kohë krize”, vijoi kreu i “Konfindustrisë”.

Buxhuku vuri në dukje se të gjitha vendet kanë marrë masa prej kohësh, por Shqipëria ende, edhe pse nënvizoi se ka ende rezerva nafte përballë kësaj krize.

“Të gjitha shtetet morën masa të drejtpërdrejtë. Shqipëria i kishte mundësitë që në këtë periudhë 4-vjeçare, nga mësimet që morëm me nisjen e luftës Rusi-Ukrainë, të mësonim. Por Shqipëria ka ende rezerva nafte, gjithsesi duhen masa”, tha ai mes të tjerash.

Buxhuku: Shqipëria rrezikon ’97-ën nga kriza, ekonomia pikiatë nga eurot e pista! Nëse destabilizohet, do duhet ushtri e huaj

Buxhuku paralajmëroi edhe për gjendjen ekonomike të Shqipërisë, duke theksuar se vendi rrezikon të përballet me një krizë të ngjashme me atë të kriza e viteve 1996-1997, nëse nuk merren masa të menjëhershme.

Ai vuri theksin tek paratë e pista në treg, kriza e fundit e karburanteve, rritja e çmimeve dhe përkeqësimi ekonomik, di faktorë kombinues që mund të sjellin shpërthimin.

Buxhuku theksoi se prodhimi industrial ka rënë gjatë 4-5 viteve të fundit, ndërsa deficiti tregtar ka arritur në rreth 5.6 miliardë euro, duke reflektuar dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare. Ai ngriti shqetësimin se forca e lekut nuk mbështetet nga ekonomia reale.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe goditjet ndaj grupeve kriminale nga SPAK, duke pretenduar se këto veprime janë më shumë rezultat i presionit ndërkombëtar sesa i një vullneti të brendshëm politik. Dhe nëse këto burime financiare nuk goditen, atëherë vendi rrezikon kolaps dhe destabilizim si gjatë piramidave të vitit 1997 dhe më pas.

“Nëse nuk merren masa, mund të kthehemi i në krizë ekonomike, si të vitit ’97. Mbajeni mend nga unë. Prodhimi industrial ka rënë këto 4-5 vite. Deficiti tregtar ka arritur 5.6 mld euro. Kjo gjendje ekonomike në Shqipëri, fortësia e lekut nuk mbahet nga ekonomia e vendit, por nga paratë kolosale të zeza. Goditja që bën SPAK, nuk është vullnet politik i vendimmarrjes i vendimmarrjes politike shqiptare, por dora e zgjatur e ndërkombëtarëve, të cilët dëmtohen nga grupet e organizuara shqiptare, që sjellin paratë e pista në vendin tonë. Mendoni që këto goditje të SPAK, të grupeve që sjellin valutën e freskët cash do të goditen, çfarë do të ndodhë me ekonominë shqiptare? Me pensionet, taksat, pagat e shqiptarëve? Leku mund të kthehet në të kundërtën e saj, me formën e kundërt. Të ardhurat tona janë para që po ia grabit kryesisht vendeve të BE dhe po i sjell në Shqipëri”, tha ai.

Sipas Buxhukut, situata mund të përkeqësohet aq shumë, sa të na duhet edhe ushtri e huaj si dikur nëse destabilizohemi.

“Për këto arsye, situata në Shqipëri është e ngjashme me vitin 96, një vit para krizës së piramidave. Këto vlerësime të zymta, por reale, bëhen pa pasojat katastrofike të krizës së karburanteve. Imagjinoni kur të përzihen të dyja këto se çfarë mund të ndodhë. Është shkatërrim i përmasave të një të keqe të madhe, bërthamore, për ekonominë shqiptare, industrinë dhe qytetarët. Mund të detyrojë rënien e rendit kushtetues, që të mbahet me forca ushtarake të huaja. Aq e rëndë është situata!”, komentoi ai.